Shqiperia

Inflacioni i qershorit në Shqipëri, 7. 4 për qind

Duket se rritja e çmimeve, veçanërisht e ushqimit dhe karburanteve, në Shqipëri vazhdoi edhe në muajin qershor, duke e goditur rëndë xhepin e qytetarëve, përcjell albinfo.ch.

“Kjo kushtëzoi rritjen e mëtutjeshme të inflacionit, i cili në qershor mbërriti nivelin prej 7,4 për qind, që është shkalla më e lartë gjatë dy dekadave të fundit.

Sipas Institutit të Statistikës, INSTAT, rritje është vërejtur te të gjitha produktet dhe shërbimet.

“Për transportin dhe artikujt ushqimorë, veçanërisht rritja e çmimeve ka qenë dyshifrore, grupe për të cilat shqiptarët çojnë edhe pjesën më të madhe të shpenzimeve të tyre, mbi gjysmën e tyre për të dyja së bashku. Brenda grupit të ushqimeve, çmimet kanë qenë të larta sidomos për produktet e bulmetit, drithërave dhe fruta-perimet që janë shtrenjtuar ndjeshëm këtë periudhë”, njofton televizioni.

Inflacioni në maj ishte 6,7 për qind, në prill arriti shkallën prej 6,2 për qind, në mars ishte 5,7, përderisa në shkurt 3,9 për qind.

Përshpejtimi i inflacionit bëri që Banka e Shqipërisë të ndërhyjë për herë të dytë radhazi brenda vitit përmes politikës monetare, duke rritur normën bazë të interesit në 1.25 për qind si një kundërpërgjigje ndaj inflacionit që duket se do të vazhdojë të qëndrojë i lartë të paktën deri në fund të këtij viti.