Kosova
Rritje alarmante e rasteve me Covid-19 gjatë ditëve të fundit në Kosovë
Ministria e Shëndetësisë e Kosovës paralajmëron se do t’i mobilizojë kapacitetet spitalore dhe se do të bëjë gjurmimin dhe testimin e rasteve të reja pozitive me koronavirus.
Kjo pasi, ditëve të fundit ka pasur rritje të përqindjes së të infektuarve.
Më 28 qershor, mbi 30 për qind e testeve kanë dalë pozitive – shifër kjo e paparë qysh në muajin janar.
Gjatë pranverës, shifrat e rasteve pozitive kanë qenë relativisht të ulëta – më 24 maj nuk ka pasur asnjë rast pozitiv.
Zyrtarë të Ministrisë së Shëndetësisë thonë se “është e pritshme që në Kosovë të shënohen edhe më shumë raste në ditët në vijim”, duke qenë se në vendet e rajonit ka po ashtu rritje.
Në bazë të të dhënave të kësaj ministrie, të publikuara më 1 korrik, numri i rasteve aktive në Kosovë aktualisht është 730.
Përqindja e rasteve të reja pozitive i është afruar edhe më 1 korrik 30-përqindëshit.
Në qarkullim besohet se është varianti Omicron i koronavirusit, i cili përhapet më shpejt, por shkakton simptoma kryesisht më të lehta.
Drejtori i Klinikës Infektive në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, Arben Vishaj, thotë se numri i pacientëve të shtrirë me koronavirus, aktualisht, është njëshifror.
Ai thotë se, tash për tash, edhe medikamentet janë të mjaftueshme, edhe stafi mjekësor.
“…por, nëse vjen deri te një numër më i madh i pacientëve, ashtu siç ka ndodhur në valët e mëparshme [të pandemisë], na duhet më shumë personel mjekësor”, thotë Vishaj.
Pandemia e koronavirusit ka shpërthyer në mars të vitit 2020 dhe në periudha të caktuara të saj, Kosova është përballur me valë të rënda, që kanë imponuar angazhime shtesë të stafit mjekësor, por edhe shtim të shtretërve në klinika të ndryshme.
Gjyle Mulliqi-Osmani, mikrobiologe e pensionuar, thotë po ashtu se në ditët e ardhshme do të ketë rritje të numrit të të infektuarve me koronavirus.
Sipas saj, edhe numri aktual mund të jetë më i lartë, pasi, siç thotë, asimptomatikët nuk testohen.
Mulliqi-Osmani beson se kjo valë ka ardhur si pasojë e heqjes së masave kufizuese – njerëzit udhëtojnë më shumë dhe grumbullohen më shumë, thotë ajo.
“Mbajtja e maskave në ambientet e mbyllura duhet të jetë obligative”, ashtu si edhe vaksinimi kundër koronavirusit, thotë Mulliqi-Osmani për REL-in.
Vendimin e fundit për kontrollin, parandalimin dhe luftimin e pandemisë, Qeveria e Kosovës e ka marrë më 30 prill, duke hequr shumicën e masave kufizuese, si mbajtjen e maskave apo orarin e shkurtuar të gastronomisë.
Me këtë vendim kërkohet vetëm nga punonjësit e institucioneve publike dhe private që të posedojnë certifikatën e vaksinimit me së paku dy doza, ndërsa veshja e maskës dhe mbajtja e distancës fizike janë rekomandime.
Nga Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës, ndërkaq, janë shtuar thirrjet për bartjen e maskave në ambiente të mbyllura, si dhe për vaksinim.
“Pandemia nuk ka përfunduar”, kujton IKSHPK-ja përmes një postimi në Facebook.
Nga Ministria e Shëndetësisë thonë se vaksina ka mjaftueshëm dhe se vaksinimi mund të bëhet në çdo komunë të Kosovës.
Deri më tash, mbi 820,000 persona kanë marrë dy doza të vaksinës kundër koronavirusit, që i bie më pak se gjysma e popullsisë së përgjithshme.
Me tri doza, ndërkaq, janë vaksinuar mbi 103,000 veta.
Më 1 korrik, Ministria e Shëndetësisë e Kosovës ka njoftuar se vetëm 25 persona janë vaksinuar në 24-orëshin paraprak.
Vaksinimi në Kosovë ka nisur në mars të vitit 2021. Fillimisht kanë mundur të vaksinohen vetëm personat mbi 18 vjeç, pastaj edhe mbi 16-vjeçarët dhe tani edhe mbi 12-vjeçarët.
“Ministria e Shëndetësisë është duke bërë përgatitje për fillimin e vaksinimit edhe për fëmijët e moshës 5 deri në 11 vjeç”, thuhet në deklaratën e këtij institucioni.
Rastet e para me koronavirus në Kosovë janë konfirmuar më 13 mars të vitit 2020. Për më shumë se dy vjet, 3,140 persona kanë humbur jetën pas infektimit.
Rritje të numrit të të infektuarve kanë parë së voni edhe vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor./Rel
Të tjera nga Kosova
E-Diaspora
-
Vritet një shqiptar në Itali dhe plagoset vëllai i tij Policia italiane arreston dy persona me kombësi maqedonase...
-
Londër: Shqiptari është gjetur pa shenja jete
-
Osmani në Kanada takoi shqiptarë që janë rrëfime suksesi
-
Arianit Besiri fiton zgjedhjet, nga marsi – kryetar bashkie në Gjermani
-
Konsullata e Republikës së Kosovës në Cyrih hap dyert për bashkatdhetarët
Jeta në Zvicër
-
Nestle sheh nevojën për veprim mbi çmimet e produkteve Nestle duhet të ndërmarrë veprime për çmimet për të inkurajuar konsumatorët të blejnë mallrat e saj,...
-
Zvicër: Bli tani, paguaj më vonë
-
Çfarë do të ndryshojë vota zvicerane për financimin e trajtimeve shëndetësore?
-
Si do të përfitojnë banorët e Gjenevës nga taksat më të ulëta mbi të ardhurat
-
Gati 75% e dëbimeve të urdhëruara në Zvicër në vitin 2023 janë kryer