Gjuha
Garë diturie mes nxënësve të Shkollës Shqipe në Zvicër
Një kuiz diturie, mirë i organizuar, dëshmoi angazhimin e nxënësve të shkollave shqipe, në ruajtjen e gjuhës dhe kulturës kombëtare
Në përmbyllje të këtij viti shkollor, më 17 qershor Shkolla Shqipe në Zvicër organizoi promovimin e krijimtarisë letrare të Bedri Dedjes me titull “Bedri Dedja… fjalë të përzgjedhura, krijimtari që rrezaton, një jetë për fëmijët – për të ardhmen e njerëzimit”, kurse më 18 qershor një garë sportive mes shkollave shqipe në Zvicër “Volketswil 22”. Ndërsa, më 19 qershor 2022 ishte konkursi i diturisë “Zvicër 22”. Aktivitete tepër mirë të organizuara nga mësuesit, prindërit nën drejtimin e mësuesit dhe veprimtarit Vaxhid Sejdiu.
Nxënës, mësues, prindër dhe sponsorë të Kuizit të Diturisë, japin mesazhin e përbashkët “të ruajmë gjuhën dhe kulturën kombëtare”.
Fillimisht garat ishin zhvilluar nëpër pikat shkollore në disa kantone të Zvicrës, ku organizohet mësimi në gjuhën amtare dhe në gjysmëfinale kishin hyrë nëntë klasa apo nëntë ekipe që përfaqësonin shkollat e tyre në këtë konkurs diturie, i cili u organizua në Fehraltorf të kantonit të Zyrihut. Pyetjet për gara ishin përzgjedhur në fusha të ndryshme të diturisë, edhe atë në lëndën e gjuhës dhe letërsisë shqipe si dhe në lëndën e gjeografisë dhe historisë shqiptare. Për të përcjellë këtë akt final të fëmijëve të tyre, krahas prindërve, merrnin pjesë edhe përfaqësuesit e dy ambasadave tona: Valon Gashi, përfaqësues nga Ambasada e Shqipërisë dhe Gjenis Haxhimehmeti, përfaqësues nga Ambasada e Kosovës, të cilët edhe përshëndetën të pranishmit dhe përgëzuan vogëlushët për interesimin e tyre për gjuhën amtare dhe dijen e treguar në një konkurrencë që kishte përfshirë pikat shkollore ku vepron Shkolla Shqipe në Zvicër.
Nxënësit e shkollës shqipe në Uster dhe Spreitenbach së bashku me mësuesit dhe prindërit e tyre
Mësuesi dhe koordinatori i saj, Vaxhid Sejdiu, pasi përshëndeti të pranishmit, tha se gjatë muajve të fundit jemi munduar të zhvillojmë gara të diturisë në shumicën e pikave shkollore. Dhe, në ditën e sotme rezultoi me gjysmëfinalen, ku marrin pjesë klasat nga pikat shkollore të qytetit Lozanë, Vevey, Zug, ato Volkestwil, Regensdorf dhe Uster të kantonit të Zyrihut si dhe Neunehof dhe Spreitenbach të kantonit të Argaut, të cilat fillimisht zhvilluan gara në mes veti për t`u klasifikuar tre ekipet më të mira në finalen e madhe ku iu bashkëngjiten edhe nxënësit e tjerë me këngë, recitime dhe valle. Një juri e përbërë nga mësuesit e përcollën garën për të përcaktuar në fund edhe rezultatet, ku vendin e parë e zuri shkolla shqipe Uster (nxënësit Gresa Shala dhe Lind e Fisnik Maxhuni), vendin e dytë shkolla shqipe Spreitenbach (Flokarta Hasani, Medina Maloku dhe Era Kelmendi) dhe vendin e tretë nxënësit nga shkolla shqipe Vevey (nxënësit Ardona Elezaj, Andi Morinaj dhe Adrijon Elezaj).
Nxënësit e shkollës shqipe në Uster dhe ata të shkollës në Vevey, të gëzuar me suksesin e tyre dhe sponsori gjeneral, z. Taip Ibrahimi
Për nivelin e diturive të treguara në këtë garë ekipet jo vetëm që u shpërblyen nga donatorët, afaristë shqiptarë që veprojnë në Zvicër. Sponsor gjeneral i kuizit të Diturisë ishte biznesmeni i njohur shqiptar dhe arsimdashësi z. Taip Ibrahimi, me firmën e tij “Holz Team” në Wattwil të Zvicrës, i cili mori përsipër që të tri shpërblimet. Edhe znj. Teuta Kerhani – Rifati me firmën e saj “Fenix” mbështeti organizimin e këtij aktiviteti shkollor. Në fund të pjesë së parë iu dha një mirënjohje dhe një tufë lule gazetarit të mirënjohur kombëtar Rexhep Rifatit, me rastin e 80-vjetorit të lindjes.
Në pjesën e dytë të programit (me të përfunduar garën) nga ana e nxënësve u shfaq një program i pasur artistik me recitime e këngë. Filloi me këngën “Moj Arbëri”, të kënduar nga nxënësja e shkollës shqipe në Neunhof, Melisa Selimi dhe vazhdoi me nxënësit e shkollës shqipe në Neunhof: Liara Zuka, Tana Limoni, Arnela Halimi dhe Alea Halimi recituan vargjet “Me gjithë shpirt”. Nxënësja e shkollës shqipe në Vevey (Kantoni Wadt), Anisa Morina, recitoi vargjet “Unë flas shqip”, ndërsa nxënësit e shkollës shqipe në Uster, Lind dhe Fisnik Maxhuni, recituan vargjet me titull “Letër Kosovës sime”. Më tej nxënësja Tana Limoni, nxënëse e shkollës shqipe në Neunenhof, këndoi këngën “Zemra m`rrah për Shqipëri, kurse nxënësja Gresa Shala këndoi këngën “Jam shqiponja”. Nxënësit e shkollës shqipe të Neuenhofit dhe të Spreitenbachut kënduan këngën “Xhamadani vija – vija”, e ata të shkollës shqipe në Uster: Lijana Idrizi, Amela Frangu, Eliesa Idrizi dhe Tuana Frangu kënduan këngën për Adem Jasharin.
Në pjesën e fundit të programit, nxënësit e shkollës shqipe në Uster Gresa dhe Gentonis Shala kënduan këngën “Kuq e zi janë ngjyrat tona” dhe fare në fund, të gjithë nxënësit pjesëmarrës përmbyllin programin e manifestimit shkollor me këngën “O sa mirë që jam shqiptar”.
(Shkolla shqipe Zvicër, Sektori për informim)
E-Diaspora
-
A rrezikon të dështojë vota e diasporës në Shqipëri? Kreu i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve në Shqipëri, Ilirjan Celibashi, tha se janë krijuar kushtet e...
-
Kurti mban fjalim në forumin ekonomik Zvicër-Kosovë, flet për “partneritet të fuqishëm”
-
Arbër Bullakaj, në krye të nismës për lehtësimin e natyralizimit të të huajve
-
Ariana Qizmolli, me pjesën “Kërce pak”, në festivalin e vallëzimit, në Winterthur
-
Një deputete në Kuvendin e Shqipërisë, me doktoratë austriake
Jeta në Zvicër
-
Më shumë se 640,000 fishekë snajperësh zviceranë thuhet se kanë shkuar në Ukrainë Municione snajperi nga kompania zvicerane P Defence thuhet se kanë mbërritur në Ukrainë në korrik 2023...
-
Kaosi i SBB i frustron udhëtarët: “Ka komunikim zero”
-
Bora paralizon qarkullimin në shumë vende në Zvicër
-
Bazeli do të votojë mbi koston e organizimit ‘blasfemik’ të Eurovizionit 2025
-
Zvicra mbetet kampione evropiane në hekurudha