Maqedonia

Bullgaria votoi për heqjen e vetos ndaj Maqedonisë së Veriut

Propozimi u miratua me 170 vota për, dhe 37 kundër

Parlamenti bullgar autorizoi kryeministrin Kiril Petkov të heqë veton ndaj Maqedonisë, duke miratuar propozimin francez për zgjidhjen e mosmarrëveshjes midis Sofjes dhe Shkupit.

Propozimi u miratua me 170 vota për, dhe 37 kundër. Megjithatë, deputetet bullgarë, edhe pse i dhanë dritën jeshile propozimit të Macronit, tekstin e tij e plotësuan me disa ndryshime të miratuara nga Ministria e Jashtme bullgare.

Bëhet fjalë për garancitë për ndryshimet kushtetuese në draft-konkluzionet e Këshillit, për qartësimin e qëndrimit bullgar për gjuhën maqedonase, si dhe garanci për zbatimin konsekuent të Marrëveshjes për fqinjësi të mirë. Propozimin dhe ndryshimet i ka dorëzuar deputeti Hristo Ivanov, dhe kanë marrë mbështetje nga partia e Kiril Petkovit, Bojko Borisovit dhe Mustafa Karadajt.

“Interesi ynë nuk është vetëm përmbushja e qëllimeve dhe kërkesave që i kemi vënë në marrëdhëniet dypalëshe me Republikën e Maqedonisë së Veriut, interesi ynë është edhe Ballkani Perëndimor, pra Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut të kenë perspektivë evropiane. Ky është interesi ynë!”, deklaroi Hristo Ivanov, President i DB-së, shkruan Alsat, transmeton albinfo.ch.

“Sot është ditë e mirë për Evropën, ditë e mirë për Republikën e Maqedonisë së Veriut, por mbi të gjitha është një ditë e mirë për Bullgarinë”, tha Ekaterina Zaharieva- deputete e GERB.

Pas vendimit për heqjen e vetos, i pari ka reaguar Sllavi Trifonov, sipas të cilit po tradhtohet interesi kombëtar bullgar. Deputetët e tij, të cilët votuan “kundër”, thanë se tash e tutje Unioni do ta njohë gjuhën maqedonase”.

“Maqedonasit do të mund të pretendojnë në çdo marrëveshje me cilindo shtet të Bashkimit Evropian se ajo shkruhet në gjuhën maqedonase ndërsa nuk ka gjuhë maqedonase dhe ky ka qenë gjithmonë qëndrim zyrtar i Bullgarisë”, u shpreh Toshko Jordanov- deputet i “Ka popull të tillë”.

Propozimin e kundërshtuan edhe socialistët bullgarë, të cilët thanë se ekziston rreziku që Unioni së shpejti të mos marrë vendime unanimisht, gjë që mund të ndikojë për veto të re të mundshme gjatë bisedimeve me Maqedoninë.

“Një zgjidhje e BE-së është duke u përgatitur për një shumicë të cilësuar në vendimet e politikës së jashtme dhe ju që e përkrahni me kaq lehtësi propozimin francez, nuk duhet ta injoroni këtë mundësi në vitet e ardhshme”, deklaroi Georgi Mihajllov, deputet i PSB.

Kryeministri Kiril Petkov, pas votimit në Parlament, në profilin e tij në Facebook ka shkruar se Kuvendi ka marrë një vendim historik duke theksuar se integrimi i Ballkanit Perëndimor është interes strategjik për Bashkimin Evropian.

Plotësimet e Bullgarisë për propozimin e Francës

– Përmirësimi i propozim projekt-kornizës negociuese dhe projekt -konkluzioneve të Këshillit, në mënyrë që të pasqyrohet më qartë fakti se asgjë në procesin e anëtarësimit të Maqedonisë së Veriut në BE nuk mund të interpretohet si njohje nga Republika e Bullgarisë për ekzistencën e gjuhës maqedonase.

– Garanci se fqinjësia e mirë mbetet kriter horizontal gjatë procesit të anëtarësimit të RMV-së në BE, për zbatimin e të cilës Komisioni Evropian duhet ta informojë Këshillin përpara çdo konference ndërqeveritare

Përfshirja e referencës nga Marrëveshja e Fqinjësisë së Mirë e vitit 2017 dhe procesverbalet nga mbledhjet e Komisionit të Përbashkët Ndërqeveritar në lidhje me miratimin e qëndrimeve të përbashkëta për konferencat ndërqeveritare BE-RMV nga Këshilli i BE-së.