Lajme

Turizmi në brigjet e Adriatikut ndikohet nga lufta në Ukrainë

Lufta në Ukrainë dhe sanksionet ndërkombëtare kundër Rusisë po ndikojnë në ekonomitë e vendeve të Ballkanit. Vendet si Shqipëria, Mali i Zi dhe Kroacia prisnin që këtë vit të rikuperonin humbjet e shkaktuara nga pandemia në sektorin e turizmit. Por, mungesa e pushuesve rusë dhe ukrainas ka zbehur shpresat për një rikthim të fuqishëm të kësaj industrie.

Ekonomitë e Shqipërisë, Kroacisë dhe Malit të Zi, janë goditur pasi turistët rusë dhe ukrainas po qëndrojnë larg këtyre vendeve për shkak të luftës dhe sanksioneve.

Tre vendet anëtare të NATO-s u janë bashkuar sanksioneve ndërkombëtare kundër Rusisë, masa që përfshijnë ndalimin e fluturimeve nga Rusia, bllokimin e bankave ruse nga sistemet ndërkombëtare të pagesave, duke vështirësuar qasjen e rusëve tek llogaritë e tyre bankare kur janë jashtë vendit dhe sekuestrimin e disa pasurive të paluajtshme dhe jahteve që u përkisnin oligarkëve rusë.

Menaxheri i një hoteli në vendpushimin e Beçiqit në Mal të Zi, Zarko Raduloviç thotë se këtë vit presin numër të vogël turistësh nga Rusia dhe Ukraina, megjithëse mijëra rusë dhe ukrainas, që u janë larguar luftimeve po marrin me qira apartamente për një kohë të gjatë.

Por punonjësit e hoteleve thonë se ata që ikën nga lufta shpenzojnë shumë më pak dhe se numri i tyre është i pamjaftueshëm për të kompensuar 380 mijë rusët që vizituan Malin e Zi më 2019.

“Këta nuk janë turistë tipikë. Këta janë njerëz që erdhën në Mal të Zi si refugjatë, në kërkim të sigurisë dhe qetësisë për një periudhë kohore – gjysmë viti ose një vit”, tha zoti Raduloviç.

Disa pushues rusë mund të vijnë përmes Stambollit dhe Beogradit, aeroportet e të cilave janë ende të hapura për fluturime nga Rusia, tha zoti Raduloviç.

Ana Tripkoviç Markoviç, nga organizata kombëtare e turizmit në Mal të Zi, thotë se rusët dhe ukrainasit zakonisht përbëjnë rreth një të pestën e atyre që vizitojnë vendin gjatë verës.

“Kur tregu rus dhe ai ukrainas llogariten së bashku, përbëjnë afërsisht 20 për qind të trafikut tonë turistik, që është një shifër e konsiderueshme”, thotë ajo.

Në përgjithësi 20 për qind e ekonomisë së Malit të Zi varet nga turizmi. Muajin e kaluar, Banka Botërore ndryshoi parashikimin e rritjes ekonomike të Malit të Zi për vitin 2022, duke e ulur në 3.6 për qind nga 5.9 për qind.

Konflikti ndikoi në uljen e parashikimit të rritjes ekonomike në përgjithësi në Ballkanin Perëndimor në 3.1 për qind nga 4.1 për qind, sa ishte parashikuar në janar.

Industria e turizmit në Shqipëri shpresonte të rimëkëmbej gjatë vitit 2022 duke kapërcyer pasojat e pandemisë COVID-19. Por lufta në Ukrainë i ka zbehur këto pritshmëri, thotë Aurenc Hima, menaxher hoteli në Durrës.

“Ndihet mungesa e turistëve ukrainas dhe rusë, sepse ata ishin klientët që vinin më herët, nga fundi i marsit, ose prillit e deri në shtator dhe tetor, sepse përshtaten shumë mirë me klimën. Kishim shumë rezervime nga rusët dhe ukrainasit, por i anuluan”, tha ai.

Kliton Gerxhani, kryetar i Shoqatës së Operatorëve Turistikë dhe Agjencive Turistike tha se lufta ka ndikuar edhe tek pushuesit e mundshëm nga vendet baltike dhe skandinave, si dhe ata nga Polonia dhe Gjermania.

“Ka një hezitim nga këto vende për të rezervuar hotele në Shqipëri. Ndoshta turistët e këtyre vendeve do të presin deri në minutat e fundit… varësisht nga rrjedha e luftës”, tha ai.

Në vitin e fundit para pandemisë, Kroacia fqinje kishte gjithsej 154 mijë turistë rusë dhe 139 mijë ukrainas. Sipas të dhënave zyrtare, më 2021 rreth 45 mijë turistë nga secili vend kanë vizituar vendpushimet kroate.

Në janar dhe shkurt të këtij viti, 12 mijë rusë vizituan Kroacinë, por gjatë marsit, prillit dhe gjysmës së parë të majit erdhën vetëm rreth 4 mijë e 500 pushues, shumë më pak krahasuar me shifrën e zakonshme./VOA