Lajme

Miliarda euro fitime nga eksportet e naftës nga Rusia

Rusia fitoi 93 miliardë euro nga eksportet e karburanteve fosile gjatë 100 ditëve të para të luftës së saj në Ukrainë, tregon një raport i ri.

Bashkimi Evropian importoi 61 për qind të eksporteve të karburanteve fosile të Rusisë gjatë kësaj periudhe, sipas raportit të Qendrës për Kërkime për Energjinë dhe Ajrin e Pastër (CREA).

Të ardhurat e Rusisë nga karburantet fosile vijnë së pari nga shitja e naftës së papërpunuar, e ndjekur nga tubacionet e gazit, produktet e naftës, gazi natyror i lëngshëm (LNG) dhe qymyri.

 

Raporti i kësaj organizate me bazë në Finlandë, u publikua më 13 qershor, ndërsa Kievi vazhdon t’i kërkojë Perëndimit të ndërpresë të gjithë tregtinë me Rusinë me shpresën për të ndërprerë financimin e saj për luftën, transmeton Rel, përcjell Albinfo.ch.

Bashkimi Evropian muajin e kaluar ra dakord për një marrëveshje kompromisi që shkurton importet e naftës ruse në më shumë se dy të tretat, duke synuar naftën ruse të dërguar nga deti, ndërsa përjashton përkohësisht naftën e dorëzuar nga tubacionet.

Raporti i CREA thotë se rritja globale e çmimeve të naftës do të thotë që arkat e Kremlinit vazhduan të mbusheshin, edhe pse eksportet e Rusisë ranë gjatë muajit maj.