Lajme

Berset nuk ka abuzuar me fondet në rastin e shantazhimit nga “ish e dashura” e tij

Dy akuza kishin dalë në media në lidhje me një çështje penale kundër një gruaje e cila kishte tentuar të shantazhonte ministrin Berset

Siç njofton GPK-ja (komisioni parlamentar i auditimit), nga hetimet e deritashme ka rezultuar se nuk janë konstatuar parregullsi në veprimet e autoriteteve të zbatimit të ligjit dhe as keqpërdorim fondesh federale nga ministri Berset.

Dy akuza kishin dalë në raportet e mediave në lidhje me një çështje penale kundër një individi, trasnmeton albinfo.ch. Bëhet fjalë për një grua e cila pretendonte të kishte qenë ish dashnorja e ministrit dhe e cila kishte tentuar të shantazhonte ministrin Berset.

Njëra akuzë thoshte se autoritetet ligjzbatuese i kishin dhënë trajtim preferencial Bersetit si viktimë për shkak të pozitës së tij të spikatur, shkruan srf.ch. Ndërsa sipas akuzës tjetër mediale, vetë Alain Berset dyshohej se kishte përdorur një veturë reprezentative të shtetit për qëllime private dhe se kishte përdorur pjesëtarë të stafit për të shmangur tentativën e shantazhit.

Sipas deklaratës së GPK-së, hetimet kanë rezultuar në përfundimin se Zyra e Prokurorit Publik (BA) nuk i ka dhënë Këshillit Federal trajtim preferencial dhe se Departamenti Federal i Policisë Kriminale (BKP) nuk ka kryer asnjë operacion policor joproporcional. Përdorimi i stafit të ministrit Berset për të shmangur tentativën e shantazhit ishte në masë të vogël dhe i përshtatshëm për këtë çështje.

Më në fund, GPK vjen në përfundimin se udhëtimi me makinë reprezentative të shtetit për një udhëtim kthimi nga një ngjarje private në Gjermani ishte i ligjshëm, përcjell albinfo.ch. Ndërsa dyshimi se Berset mund të kishte paguar faturën e hotelit në kurriz të Qeverisë Federale është i pabazë.