Tematike

Qeveria kundër biletës “9 euro” për Zvicrën: Do të kemi kaos si në Gjermani

Sommaruga: "Me një biletë 9 euro do të kemi rrezik nga mbipopullimi i autobusëve dhe trenave si dhe nga reagimi i udhëtarëve të rregullt"

Aksioni në Gjermani për biletën mujore që kushton vetëm 9 euro, e cila vlen për transportin publik lokal dhe regjional, ka mbështetësit dhe kritikët e tij. Ai mbështetet për mundësinë që u krijon shtresave me të ardhura të ulëta që të udhëtojnë me çmim të lirë ndërsa kritikohet për tollovinë që ka shkaktuar interesimi shumë i madh i gjermanëve për ta shfrytëzuar këtë ofertë, shkruan albinfo.ch.

Në këtë atmosferë, edhe politikanët e majtë zviceranë duan një ofertë të ngjashme, në Zvicër. Kështu, deputeti nacional nga Partua Socialdemokrate (SP) Matthias Aebischer ka kërkuar nga Këshilli Federal përgjigjen se çfarë po bën në mënyrë që “një veprim i tillë ose i ngjashëm i përkohshëm” të realizohet edhe në Zvicër.

Sepse, sipas tij: Një GA (abonament i përgjithshëm) mujore që do të jepej praktikisht falas do të “lehtësonte kuletat e të rinjve, familjeve, njerëzve me ndihma soclale dhe pensionistëve” argumenton ai për nau.ch. Përveç kësaj, një veprim i tillë mund të nxisë kalimin nga shfrytëzimi i makinës, në tren.

Sommaruga: “Kështu nxisim mllefin e shfrytëzuesve të rregullt të transportit publik”

Ministrja Federale përgjegjëse për këtë sektor, Simonetta Sommaruga (SP), i është përgjigjur pyetjes së bashkëpartikaut të saj relativisht qartë gjatë “Orës së Pyetjeve” në parlament, të martën. “Raporti kosto-përfitim nuk e arsyeton vendosjen e një bilete të tillë në Zvicër”, ka thënë ministrja e Transportit në përgjigjen e saj me shkrim.

Transporti publik në Zvicër edhe tani është shumë i frekuentuar, transmeton albinfo.ch. Me një biletë 9 euro do të kemi rrezik nga  mbipopullimi i autobusëve dhe trenave si dhe nga reagimi i udhëtarëve të rregullt, “të pakënaqur”. “Ekziston po ashtu rreziku që për këtë arsye klientët ekzistues të transportit publik të kalojnë në makina, të paktën gjatë fazës së fushatës, për shkak të transportit publik të mbipopulluar”.

Sommaruga gjithashtu nuk beson se klientët e rinj të rekrutuar përmes fushatës do të vazhdonin të udhëtonin me tren nëse do t’u duhej të paguanin përsëri çmimet normale të SBB-së, pas kalimit të fuhatës.

PS dëshiron ta bëjë SBB-në “më të përballueshme”

Megjithatë, PS nuk dorëzohet dhe nis një seri të tërë mocionesh në Parlament. Një ndër to është të mundësohet që familjet të përfitojnë nga zbritjet e mëdha në transportin publik.

Kështu, sipas deputetit Aebischer, një biletë ditore për të gjithë familjen do të kushtonte 20 franga për një periudhë të caktuar kohe, përcjell albinfo.ch. Një GA ditore për individët duhet të jetë ndërkohë 10 franga, sipas deputetit të përmendur.

Në një iniciativë të mëtejshme, socialdemokratët, përkatësisht deputeti nacional Jon Pult, po kërkojnë që abonamenti për biletat “me çmim të pëgjysmuar” (Halbtax Tarif) në të ardhmen të kushtojë vetëm 100 franga, siç ishte për herë të fundit në 1987. Kjo është e nevojshme duke pasur parasysh rritjen e kostos së lëvizshmërisë dhe është një akt solidariteti.