Integrimi
Përkundër pandemisë, Shkolla Shqipe në Gjenevë përmbyll me sukses vitin shkollor
Me gjithë vështirësitë që i solli pandemia, Shkolla Shqipe e Mësimit Plotësues në Republikën dhe Kantonin e Gjenevës e mbyll vitin shkollor me rezultate të kënaqshme
Fundjavën e kaluar në sallën e festave dhe ngjarjeve kulturore Aire të komunës Vernier të Gjenevës janë tubuar prindër, nxënës, mësimdhënës dhe arsimdashës të shumtë të shkollës shqipe jo vetëm nga Gjeneva, por edhe nga kantone të tjera të Zvicrës.
Kësaj ngjarje i ka paraprirë edhe një Kuvend vjetor pune me prezantim dokumentesh dhe analizash nga kryetari i Lidhjes së Arsimtarëve dhe Prindërve Shqiptarë “Naim Frashëri” në Zvicër, Liburn Mehmetaj.
Mehmetaj, një i palodhshëm, studimet e nivelit Master në fushën e Jurisprudencës i ka përfunduar me sukses në Universitetin e Gjenevës, shkruan albinfo.ch. Ai, krahas punës si avokat, duke parë rënien drastike të numrit të nxënësve dhe mosinteresimin e prindërve për përfshirjen e fëmijëve të tyre në Shkollën Shqipe më 2014 do të jetë përkrah kolegut të tij Gëzim Nexhmedin Ilazi, i cili në këtë periudhë ishte në krye të LAPSH-it në Gjenevë.
Angazhimi i ish-nxënësve të kësaj shkolle, tani ekspertë fushash të ndryshme, ngjall shpresën dhe rrit optimizmin për ditë më të mira. Kjo u vërejt edhe në këtë Kuvend, ku gjithçka para të pranishmëve u prezantua deri në detaje, duke u dhënë si shtesë edhe sqarimet e duhura.
Për dallim nga e kaluara, regjistrimi i fëmijëve në Shkollën Shqipe të Mësimit Plotësues në Zvicër, prej tash e tutje mund të bëhet në çdo kohë me metodën online.
Me të përfunduar punimet e Kuvendit, në skenë u ngjitën mësues e nxënës të Shkollës Shqipe të Mësimit Plotësues në Gjenevë.
Me falënderimin për prezencën kaq të madhe, mirëseardhje të gjithëve u ka shprehur zonja Brikena Qafa Osmani, Dr. në Sociologji dhe Antropologji Sociale.
Zonja, Qafa-Osmani nga janari i vitit 2018 është e angazhuar si mësuese në Shkollën Shqipe të Gjenevës, ku jep kontribut të madh si në shtimin e numrit të nxënësve, ashtu edhe në rritje të cilësisë në leksione.
Ndërkaq, përmbajtjen e skemës programore e shpalosën nxënësit e kësaj shkolle Eliza Jahiu dhe Ervin Halili, ky i fundit me baba shqiptar e nënë gjenevase.
Ervini me të folmen e tij të rrjedhshme në gjuhën shqipe na impresionoi të gjithëve, duke dhënë shembullin që mësuesit e mirë orën e mësimit e kthejnë në kopsht bilbilash.
Këta fëmijë me fytyra të buzëqeshura dhe të veshur bukur i ngjanin një nate vere me yje. Ata, të hareshëm dhe me besim të plotë në vetvete deklamuan vargje të përzgjedhura të rilindësve tanë.
Me zërin prej bilbili kënduan edhe këngë mbi Atdheun, Flamurin, Alfabetin dhe Heronjtë tanë duke filluar nga kryeheroi ynë kombëtar, Gjergj Kastrioti- SKËNDERBEU, e deri te legjendarët Adem Jashari e Zahir Pajaziti.
Si dëshmi për frekuentimin dhe rezultatin në Shkollën Shqipe me Mësim Plotësues të Gjenevës, secili nga nxënësit u pajis me dëftesë. Kurse për më të dalluarit, zoti Mehmetaj ndau edhe mirënjohje.
Pa ashtu u lavdërua edhe puna e mësueseve: Hyrije Kurteshi, Brikena Qafa-Osmani, Fatime Bllaca, Lumnije Emini, Hana Bilalli dhe ajo e kolegut të tyre, Alban Kryeziu.
Puna e gati tri dekadave u kurorëzua edhe me promovimin e Monografisë “Shkolla Shqipe në Gjenevë” e autorit Agim Paçarizi, pedagog me dyzet vjet pune në shkollat e Kosovës dhe në atë të Gjenevës.
Kontributi i zotit Agim Paçarizi dhënë ndër vite për shkollën shqipe në Gjenevë u shpërblye me mirënjohje nga z.Mehmetaj, kryetar i LAPSH-it, në nivelin Qendror dhe në atë të Republikës dhe Kantonit të Gjenevës.
Po ashtu familjarë, miq e kolegë duke vlerësuar angazhimin e Paçarizit si mësimdhënës dhe udhëheqës të LAPSH-it, në Gjenevë, ndanë tufa lulesh.
Monografia mbi Shkollën Shqipe në Gjenevë, përveç disa ekzemplarësh që iu ndanë mësuesve dhe mësueseve me të cilët autori Agim Paçarizi ka punuar së bashku, iu dha si donacion LAPSH-it të Gjenevës.
Në këtë jubile me rëndësi jetike për shqiptarët në mërgim, morën pjesë edhe Abas Fejzullahu, Hamzë Morina, Nezir e Nexhmije Mehmetaj, që me angazhimin e tyre të pashoq ndihmuan në hapjen dhe shtimin e shkollave shqipe në çdo cep të Zvicrës.
Të pranishëm ishin edhe veprimtarët e hershëm si Saim Tahiraj, themelues dhe kryetar i shoqatës bamirëse “Sali Çeku” me seli në Zvicër, si dhe aktivistët Sami Dërmaku, Jakup Emini, Bislim Hoxha, Salih Salihu, Shani Zekolli dhe ish-mësuesit e viteve të 90-ta, Albana Krasniqi-Malaj, Teuta Zekolli dhe Arif Ejupi.
Mehmetaj, veçmas shprehu mirënjohje dhe konsideratë të lartë për të gjithë ata që me donacione të rregullta po ndihmojnë në profilizimin dhe ecjen përpara të Shkollës Shqipe të Mësimit Plotësues në Gjenevë.
Dashurinë për Shkollën Shqipe në Gjenevë tash sa vjet duke derdhur mjete në xhirollogari të saj janë duke e treguar vëllezërit Azem e Ajet Hyseni, pronarë të ndërmarrjes “Hyseni Construction SA”.
Ata me familjet e tyre ishin të pranishëm edhe në festën e sotme. Si çdoherë modest e fjalë pak mendojnë që bashkëpunimi me zotin Mehmetaj është i mundshëm, ngase ai e vlerëson drejt kontributin e gjithsecilit.
Edhe pse jo profitabil sikur dikur mbarëvajtjen e këtij mësimi e ndihmon me donacione të kohëpaskohshme edhe zoti Milazim Maliqi, pronar i një pike pijesh të verës së Rahovecit në Gjenevë të Zvicrës.
Fjalë mirënjohje u thanë edhe për institucionet e Republikës dhe Kantonit të Gjenevës, të cilat që nga fillimet e para të kësaj shkolle na kanë mbështetur pa rezervë.
Se vërtet shqiptarët janë mirënjohës ndaj çdo të mire, flet edhe gjesti i vëllezërve Artan dhe Astrit Dula nga Polluzha e Rahovecit, pronarë të restorantit “Le Bistro” në Gjenevë. Ata, nga dëshira për ta nderuar mësuesin e tyre të dikurshëm Hamzë Morina, shtruan drekë për të dhe disa nga miq të tij të pranishëm.
Nga ky solemnitet që shënoi përfundimin me sukses të këtij viti shkollor doli mesazhi që nga të gjithë ne të ndihmohet dhe të motivohet për punë z. Liburn Mehmetaj, kryetar i LAPSH-it, në Zvicër dhe Gjenevë.
Në rast dështimi apo mospërkrahje, do të konstatohet se vetë ne me vetëdije apo pa të, ua kemi vënë kazmën themeleve të kësaj vatre të diturisë, që vetëm nëpërmjet saj mund t’i shpëtojmë fëmijët tanë nga asimilimi.
Përpjekjet për t’i fajësuar të tjerët do të jenë të kota dhe qesharake, kur dihet që Zvicra, si vend mikpritës dhe pioniere e respektimit të të Drejtave dhe Lirive të Njeriut, të gjitha komuniteteve të botës ua ofron mundësinë e ruajtjes së trashëgimisë së tyre etnokulturore dhe historike.
Arif Ejupi, Gjenevë
E-Diaspora
-
Granit Xhaka është pjesë e formacionit më të mirë të vitit në Bundesliga Ylli shqiptar i Bayer Leverkusenit, Granit Xhaka, ka përfunduar si pjesë e formacionit më të mirë...
-
Përfundojnë pritjet në kufirin Kroaci-Serbi
-
Nga llamba e vajgurit tek energjia që ndriçon Zvicrën, rruga frymëzuese e Xhevdet Gashit dhe ALBASOLAR
-
“K’cimi i Tropojës”, piktori Gazmend Freitag dhe magjia e trashëgimisë kulturore shqiptare
-
Gjykata Federale ndalon dëbimin e kosovarit: Djali i tij është invalid i rëndë
Jeta në Zvicër
-
Mediat: Shërbimet mjekësore zvicerane të bëra jashtë vendit faturohen me tarifa zvicerane Në Zvicër, shërbimet mjekësore të kryera jashtë vendit faturohen me tarifa zvicerane, pavarësisht se kushtojnë më...
-
Anëtari i ekuipazhit zviceran ende në kujdes intensiv pas uljes urgjente në Austri
-
Ulja emergjente e avionit zviceran në Graz është shkaktuar nga një problem teknik
-
Berna ka përditësuar, në internet, hartën e saj të rreziqeve sipas qyteteve të kantonit
-
Sa e rëndësishme është marrëveshja e BE-së për ekonominë tonë të eksportit?