Lajme

UHK Krems, kampion i hendbollit në Austri: Trajneri shqiptar titullin ia kushton nënës së ndjerë

Trajneri shqiptar Ibish Thaçi udhëhoqi ekipin e tij drejt titullit kampion të hendbollit në Austri, raporton albinfo.at

Ekipi UHK Krems fitoi të shtunën edhe ndeshjen e dytë finale ndaj HC Hard dhe më këtë arriti të triumfojë titullin kampion për meshkuj në Bundesligën e hendbollit në Austri. Meritor për këtë titull, i cili është i pesti për UHK Krems dhe i dyti si trajner i kësaj skuadre, është edhe trajneri shqiptar, Ibish Thaçi.

Ndeshja e parë finale përfundoi 31:30 në të mirën e ekipit të trajnerit tonë që vjen nga qyteti i Gjakovës, ndërsa në ndeshjen e dytë skuadra e tij fitoi me rezultat 28:26.

Pas kësaj fitoreje, trajneri Ibish Thaçi ka theksuar se këtë titull ia ka kushtuar nënës së tij të ndjerë.

“Ky titull është për nënën time. Ajo sot ndeshjen e ka shikuar nga lart, në qiell. Për ndryshe, sa ishte gjallë, e shikonte secilën ndeshje”, thotë trajneri Ibish Thaçi, i cili ka shtuar se skuadra e tij me shumë meritë është shpallur kampione  e Bundesligës së hendbollit në Austri.

Ditë më parë, albinfo.at ka shkruar një portret të shkurtër rreth karrierës së tij si hendbollist dhe si trajner i suksesshëm i hendbollit profesionist në Austri.

Ibish Thaçi karrierën e tij e filloi në St. Pölten (Unionin St.Pölten). Ai ishte një nga lojtarët më të mirë dhe bëri një karrierë të shkëlqyeshme.

Pas karrierës së tij si lojtar, Ibishi vendosi për një karrierë si trajner dhe tërhoqi menjëherë vëmendjen, duke u ngjitur në Bundesligën më të lartë me St.Pölten.

I uritur për suksese të reja, ai vazhdoj të rritej si trajner profesionist dhe u zhvendos në ekipin e Krems.

Në vitin 2019, nën udhëheqjen e tij, ekipi UHK Krems u shpall kampion, para që të fitonte të shtunën sërish pas tre vjetësh titullin e dytë si trajner në karrierën e tij.