Kuriozitete

Epoka e celularëve po venitet, çka vjen pas saj?

Silicon Valley, në kërkim të platformës së ardhshme të madhe teknologjike. Epoka “smartphone” po venitet. Çfarë pritet në të ardhmen?  

Pesëmbëdhjetë vjet më parë, Steve Jobs prezantoi tri produkte të reja: një pajisje muzike, një telefon celular dhe një komunikues interneti.

Teksa shefi i atëhershëm i kompanisë Apple po bënte prezantimin, audienca ngadalë kuptoi se të tria produktet ishin të përfshira në një pajisje të vetme: iPhone.
Duartrokitjet sinjalizuan rilindjen e Apple, duke i hapur rrugën një epoke të re në teknologji, kur celulari smartphone zëvendësoi kompjuterin si pajisja kryesore teknologjike personale, shkruan The Economist.

Në ditët e sotme, edhe vetë Steve Jobs do të habitej se sa gjerësisht po përdoret pajisja e tij. Në ekranin e vogël kryhet gjithçka: transferta bankare, lexime hartash, lojëra e shumë më tepër.

Apple dhe prodhuesit e tjerë të celularëve janë pasuruar jo vetëm nga shitjet e harduerit (me vlerë 530 miliardë dollarë vitin e kaluar), por duke kontrolluar edhe atë që ndodh në platformë, nga dyqanet e aplikacioneve (të cilat arritën në vlerën 135 miliardë dollarë), deri te reklamat celulare (me vlerë rreth 300 miliardë dollarë).

Në kërkim të produktit të ri

Megjithatë ka prova në rritje që tregojnë se në fakt, epoka “smartphone” po venitet. Shitjet e celularëve smartphone kanë pësuar një rënie të lehtë që nga viti 2016, për shkak të përditësimeve më të ngadalta teknologjike, që kanë bërë që më pak njerëz të blejnë pajisje të reja.

Në vendet e pasura, tashmë të ngopura me celularë smartphone, rënia është veçanërisht e theksuar. Novatorët dhe investitorët e teknologjisë janë në kërkim të produktit tjetër të madh, me shpresën për të fituar në një treg fitimprurës harduerësh, por edhe për të kontrolluar platformën ku ndodh gjithçka.
Ideja e madhe e momentit janë kufjet e realitetit virtual (VR), të nxitura pjesërisht nga karantinat e pandemisë. Më premtuese, por më larg në horizont, janë syzet për të përjetuar realitetin “e shtuar” (Added Reality), ku grafika kompjuterike mbivendoset në botën reale.

Shumica e kompanive të mëdha teknologjike amerikane – mes tyre Apple, Google, Meta dhe Microsoft – si dhe gjigantët aziatikë si ByteDance (që ka në pronësi TikTok) dhe Sony, po zhvillojnë ose shesin tashmë kufje VR ose AR. Tregu pritet të tejmbushet.
Megjithatë, pretendime të tilla inovatore duhen parë me njëfarë skepticizmi. Ka pasur shumë fillime të rreme. Tabletat u shpallën si një rival i celularëve smartphone, por Apple ende fiton gjashtë herë më shumë para duke shitur iPhone sesa iPad.

Shtëpitë inteligjente shiheshin si një tjetër mega-platformë e mundshme, por deri tani, Alexa dhe teknologji të ngjashme, nuk kanë fituar popullaritetin e pritur. Teknologjia në makinë është një tjetër platformë që ka rezultuar e dobishme dhe e vlefshme, por vështirë se mund të kthehet në qendrën dixhitale të jetës së njerëzve. Edhe kufjet, të cilat tani përdoren më së shumti për lojëra, mund të përfundojnë në një pozicion të ngjashëm.

Pajisjet e reja
Megjithatë, po vihet re një lëvizje graduale e konsumatorëve drejt një grupi pajisjesh të reja që mund të vishen në trup. Këto përfshijnë kufje inteligjente që mund të aktivizohen me zë, të cilat mund të bëjnë telefonata, të lexojnë mesazhe dhe më shumë, si dhe orët inteligjente, të cilat merren me planifikimin, navigimin dhe fitnesin.

Një grup në rritje pajisjesh teknologjike shëndetësore, mund të masin gjithçka, nga sheqeri në gjak, deri tek zakonet e gjumit. Në Amerikë, shitjet e këtyre pajisjeve, po u afrohen shitjeve të celularëve smartphone.
Këto pajisje janë më shumë si aksesorë për celularin smartphone, sesa zëvendësues të tij. Sidoqoftë, teksa kompjuterët e vegjël zhvendosen nga xhepi, drejt kyçeve dhe veshëve të njerëzve, një pjesë e vëmendjes dhe shpenzimeve të konsumatorëve, po largohet nga celulari. Ndërsa kufjet VR dhe AR, bëhen më të lehta dhe më të lira, ato mund të zënë një pjesë gjithnjë e më të madhe në jetën e njeriut.

Njerëzit nuk janë gati të heqin dorë nga celularët në të njëjtën mënyrë siç lanë pas laptopët një dekadë më parë. Por duke qenë se ata ndërveprojnë më shpesh me kufje apo edhe me syze, më shumë prej tyre do të përdorin celularin si një pajisje rezervë. Ndërsa çipat bëhen edhe më të vegjël, celularët smartphone mund të bëhen edhe më pak të nevojshëm.

Mos prisni që kjo gjë të ndodhë menjëherë. Celularët me internet u prezantuan në fund të viteve 1990 dhe nuk arritën të përhapeshin gjerësisht jashtë zyrave.

Kufjet AR, të mëdha, të kushtueshme dhe deri tani, të përdorura vetëm në industri, janë në një fazë të ngjashme. Megjithatë, kur kapërcehen pengesat kryesore teknologjike, gjërat mund të ndryshojnë shpejt.

Katër vjet pasi Steve Jobs prezantoi celularin iPhone, pajisjet smartphone ua kaluan të gjithë laptopëve dhe kompjuterëve në mbarë botën. Shpresa e madhe e Silicon Valley është ende në fazën pritëse. Por pasi të shfaqet produkti i duhur, ndryshimi mund të ndodhë shumë shpejt.