Shqipëria

Banka Botërore: Shqipëria, destinacion i rëndësishëm turistik

Menaxheri i Zyrës së Bankës Botërore në Shqipëri, Emanuel Salinas, në një prononcim për mediet tha se janë krenarë për rezultatet e arritura nga projektet që mbështesin duke kërkuar edhe mënyra të reja për realizmin e tyre.

“Shpresojmë të fusim një qasje të re të sjelljes ekonomike në projektet tona në Shqipëri”, tha ai, teksa vuri në dukje se “Shqipëria është e bekuar me natyrën dhe peizazhet më mahnitëse, nga lumenjtë dhe bregdeti, te malet dhe trashëgimia kulturore”.

“Nuk është habi që vendi po bëhet një destinacion kryesor turistik”, deklaroi Salinas, megjithatë, vijoi ai, “është e trishtë kur udhëton nëpër Shqipëri të shohësh plehrat e hedhura edhe në zonat më të bukura. Po ashtu, ka një ndotje më pak të dukshme, por më shumë shqetësuese që janë ujërat e ndotura nga shtëpitë dhe bizneset që derdhen drejtpërdrejt në lumenj dhe dete. Kësisoj, u gëzuam kur na u bë kërkesë nga autoritetet për të punuar me ta për të rehabilituar dy fusha kryesore: ndotjet nga ujërat e zeza përgjatë lumit Vjosë dhe ndotjet nga mbetjet e ngurta (kryesisht nga mbetjet e ndërtimeve) përgjatë bregdetit të Vlorës”.

“Ne po mbështesim Ministrinë e Turizmit dhe Mjedisit për ndalimin e qeseve plastike – meqë ra fjala, respekt për qeverinë shqiptare për hapin e guximshëm që hodhi për këtë çështje”, u shpreh menaxheri i Zyrës së Bankës Botërore në Shqipëri, Emanuel Salinas.