Shqipëria

Investitorët e mëdhenj ikin nga Shqipëria

Referuar statistikave, numri i ndërmarrjeve të huaja dhe të përbashkëta shënoi rritje të shpejtë në vitin 2021, duke arritur nivelin më të lartë të regjistruar ndonjëherë, përcjell albinfo.ch.

Referuar të dhënave të INSTAT, në fund të vitit 2021 në vend kishte 6,635 ndërmarrje me kapital të huaj dhe të përbashkët, me një rritje prej 10% në krahasim me vitin e kaluar. 600 ndërmarrje të reja me kapital të huaj ose të përbashkët u hapën në vitin 2021, nga rreth 15 mijë që ishin gjithsej subjektet e shtuara në të njëjtën periudhë.

Në vitin 2020 numri i ndërmarrjeve të huaja kishte rënë me 6.3% në krahasim me 2019-ën, si rrjedhojë e pasojave që krijoi në ekonomi pandemia dhe kufizimet që u ndërmorën për ta frenuar atë.

Në të kundërtën, janë shtuar 648 subjekte të vogla, që kanë nga 1-4 punonjës dhe 93 biznese me 5 deri në 9 punonjës.

Dominojnë vendet e BE-së

Sipas INSTAT, ndërmarrjet me pronarë apo bashkëpronarë të huaj zënë 5,6% të ndërmarrjeve gjithsej, krahasuar me 5,1% të ndërmarrjeve aktive në vitin 2020 dhe punësojnë 12,7% të të punësuarve gjithsej.

Ndërmarrjet nga vendet Bashkimit Evropian përfaqësojnë 57,6% të ndërmarrjeve të huaja e të përbashkëta. Pronarët apo bashkëpronarët me origjinë italiane dhe greke përfaqësojnë 45,5% të ndërmarrjeve të huaja e të përbashkëta gjithsej. Ndërmarrjet e huaja e të përbashkëta janë përqendruar kryesisht në qarkun Tiranë dhe Durrës, përkatësisht 68,9% dhe 12,7%.

Mbizotërojnë shërbimet, rritet teknologjia e informacionit

Shërbimet dominojnë në bizneset e huaja që hapen në Shqipëri, me 38% të totalit, të ndjekura nga tregtia me 24%. Shërbimet shënuan dhe rritjen më të lartë të bizneseve të huaja, duke përbërë më shumë se gjysmën e subjekteve nga kjo kategori, të regjistruara në vtin 2021.

Një dukuri pozitive është shtimi i bizneseve të huaja në aktivitetin e “Informacioni dhe komunikacioni”, që u rrit me 22%, ose 97 ndërmarrje të reja. Kjo është rritja më e lartë në përqindje nga të gjitha aktivitetet ekonomike, e ndjekur nga shërbimet, me 16%.

Teknologjia dhe Informacioni po tërheq vitet e fundit investitorë të huaj, që ofrojnë shërbime për të tretët, duke shfrytëzuar koston e lirë të fuqisë punëtore. Operatorët e tregut kanë pohuar se pavarësisht interesit të lartë, problem mbetet gjetja e fuqisë punëtore të specializuar për shkak të emigrimit të profesionistëve.

Pavarësisht rritjes, pesha e bizneseve të IT në totalin e subjekteve të huaja mbetet e ulët, me vetëm 8% të totalit.

Edhe bizneset me kapital të huaj përgjithësisht janë të vogla. Vetëm 4.4% e ndërmarrjeve të huaja në vend kishim më shumë sesa 50 punonjës.