Futboll

Kumbulla flet për emocionet e fitores në Tiranë

Ai theksoi se ka një domethënie të veçantë për të fakti që e fitoi këtë titull në vendin e tij.

Marash Kumbulla fitoi edicionin e parë të Conference League. Emocionet për këtë trofe ishin të mëdha për mbrojtësin shqiptar të Romës, edhe për faktin se finalja u luajt në Tiranë.

Në një intervistë për spanjollen “Marca”, Kumbulla theksoi se ka një domethënie të veçantë për të fakti që e fitoi këtë titull në vendin e tij.

“Do të thotë shumë për mua fakti që e fitova Conference League në Tiranë. Është diçka shumë e veçantë. Shqipëria është vendi im, i prindërve të mi dhe i të afërmve të mi. Është e vërtetë që kam lindur në Itali, por identifikohem me ngjyrat kuqezi dhe përfaqësoj popullin tim”, tha Kumbulla.

Më tej, mbrojtësi shqiptar tregon gjënë e parë që bëri pasi ndeshja përfundoi me rezultatin 1-0 për Romën.

“Si shqiptar, jam shumë i emocionuar që titullin e parë të karrierës e fitova në Tiranë. Menjëherë nisa të kërkoja flamurin dhe nuk e hoqa më gjatë festimeve”, u shpreh Kumbulla.