Kosova

Kosova merr masa për të parandaluar përhapjen e lisë së majmunëve

Edhe pse në Kosovë nuk është raportuar asnjë rast i dyshimtë me linë e majmunëve, Ministria e Shëndetësisë dhe Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike ka përpiluar një dokument me rekomandime dhe masa për të parandaluar përhapjen e kësaj sëmundjeje.

Në një njoftim për media, autoritetet shëndetësore deklaruan se situata po monitorohet nga afër.

Virusi nuk transmetohet lehtë sikurse COVID-19. Ekspertët besojnë se lia e majmunit përhapet nga kontakti i ngushtë lëkurë me lëkurë, me dikë që ka skuqje aktive.

Rasti i parë i lisë së majmunëve në Europë u konfirmua më 7 maj, te një individ i kthyer në Angli nga Nigeria.

Deri më tani, mbi 100 raste janë konfirmuar në pesë shtete europiane, Mbretëri e Bashkuar, Spanjë, Portugali, Gjermani dhe Itali.