Lajme

Prishtina i bashkon biznesmenët shqiptarë të diasporës, të interesuar për të investuar në Kosovë

Në kryeqytetin e Kosovës, kryetarët e Rrjetit të Bizneseve të Diasporës Shqiptare në Botë sot janë takuar për mundësinë e investimit në vendlindje, transmeton albinfo.ch.

“Në Prishtinë, në mbledhjen e radhës së Rrjetit të Bizneseve të Diasporës Shqiptare me kryetarët e Rrjeteve të shteteve të ndryshme në botë, ndër të cilët dhe kryetari i Vatrës, Elmi Berisha, kryetari i përgjithshëm Nazar Mehmeti, kryetari i nderit Fehmi Fetahu, ashtu dhe drejtorin e përgjithshëm Naim Dedushaj, sot kemi agjendë të ngjeshur me vizita të ndryshme zyrtare dhe në biznese të ngritura nga biznesmenë të diasporës”, shkruan Amet Gjanaj.

Vlen të theksohet se bordi i këtij rrjeti ka mbledhur mërgimtarët e suksesshëm në biznes nga Evropa, Amerika, Australia e Turqia.

“Agjenda është mjaft e ngjeshur. Do të jemi sot te presidentja, Vjosa Osmani. Pastaj do të vazhdojmë në Gjilan, tek një investim i diasporës. Më pas jemi në Prizren dhe Kukës”, deklaroi Dedushaj.

Sipas agjendës, në orën 12:00 presidentja Vjosa Osmani do të dekorojë Christopher Hyland për angazhimin dhe kontributin e tij për pavarësinë e Kosovës.

Po ashtu, biznesmenët shqiptarë të diasporës do të takohen edhe me ambasadorin amerikan, Jeffrey Hovenier. /albinfo.ch