Kosova

Kancelari gjerman viziton Ballkanin Perëndimor në qershor

Kancelari gjerman, Olaf Scholz, thotë se do të udhëtojë në Ballkanin Perëndimor përpara se të mbahet një takim i Këshillit Evropian muajin e ardhshëm, duke përcjellë mesazhin se rajoni i përket Bashkimit Evropian, raporton Aljazeera.

Gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor me aspirata për anëtarësim në BE: Shqipëria, Bosnjë e Hercegovina, Kosova, Mali i Zi, Maqedonia e Veriut dhe Serbia, janë përfshirë në procesin e reformave shumëvjeçare, u tha Scholz ligjvënësve në Berlin të enjten.

“Nderimi i angazhimeve tona ndaj tyre nuk është vetëm një çështje e besueshmërisë sonë. Sot më shumë se kurrë, integrimi i tyre është gjithashtu në interesat tona strategjike”, tha ai, duke treguar ndikimin e fuqive të jashtme në rajon, përfshirë Rusinë.

Scholz në prill kishte bërë thirrje që përpjekjet e vendeve të Ballkanit Perëndimor për t’u bashkuar me BE-në të përshpejtoheshin në mes të një epoke të re në vazhdën e pushtimit rus të Ukrainës.