Shqipëria

Shqipëria konsiderohet vend ‘i përshtatshëm’ për pastrimin e parave

Shqipëria nuk ka bërë progres të mjaftueshëm në luftën kundër pastrimit të parave të pista për vitin e shkuar.

Moneyval, njësia e monitorimit të Këshillit të Europës në fushën e parave të pista dhe terrorizmit, e ka lënë vendin tonë sërish në listën gri të pastrimit të parave, listën në të cilën hyri në vitin 2020.

Shkaku kryesor përse Shqipëria konsiderohet me risk të lartë në fushën e pastrimit të parave është prodhimi i monedhave virtuale.

“Raporti vijues për Shqipërinë ka gjetur se vendi nuk ka bërë progres të mjaftueshëm për të marrë masat në luftën kundër pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit. Moneyval vendosi që t’a mbajë Shqipërinë nën monitorim”, thuhet në raportin e Moneyval.

Në vlerësimet e Moneyval, përdorimi i kriptomonedhave ka rritur mjaft rrezikun për transferimin e parave të pista pasi anashkalon rregullat që ka sistemi bankar. Njësia sheh si risk të shtuar mundësinë për transferimin e parave përmes aseteve virtuale nga krimi i organizuar dhe politikanët e korruptuar.
Mes 12 vendeve të monitoruara, të vetmet që nuk kishin bërë progres të mjaftueshëm ishin Shqipëria dhe Polonia.

Kroacia, Çekia, Malta, dhe Sllovenia bënë progres të dukshëm. Mes shteteve që ka bërë progres është dhe Gibraltari, i cili ka miratuar së fundi rregullat dhe ka ngritur institucionet monitoruese të kriptomonedhave.