Lajme

Pijet alkoolike të prodhuara në Kosovë promovohen në Gjermani

Mësohet se me mbështetjen e MINT, përkatësisht KIESA-s, pesë kompani nga Kosova po marrin pjesë në panairin “ProWein”, i cili po mbahet në Dyseldorf të Gjermanisë, njofton albinfo.ch.

Në këtë panair po i promovojnë prodhimet e tyre të rakisë dhe verërave të llojeve të ndryshme, si Biopak, Kosova Wine, Stone Castle Vineyards&Winery, Bodrumi Familjar Sefa dhe Bodrumi i Vjetër.

Mund të jetë një imazh i 11 persona dhe ambiente të brendshme

Shtandi i Kosovës po vizitohet nga pjesëmarrës të shumtë, të cilët po i degustojnë prodhimet nga Kosova, ndërkohë kompanitë vendëse po zhvillojnë kontakte me biznese të pranishme në panair.

Pos promovimit të prodhimeve të tyre, kompanitë nga Kosova po e shfrytëzojnë praninë në panair për t’u njohur me trendet me të reja të verarisë dhe pijeve alkoolike në Evropë dhe më gjerë.

Panairi “ProWein 2022” njihet si një ndër panairet që ofron gamën më të madhe në botë të verërave, pijeve alkoolike dhe pijeve artizanale.

Në këtë panair, KIESA ua ka siguruar kompanive nga Kosova shtandin me numër 11D02, i cili gjendet në hapësirën ekspozuese prej 33 m2 në Hall 11.

Mund të jetë një imazh i 13 persona, njerëz në këmbë dhe ambiente të brendshme

Panairi “ProWein” është hapur më 15 maj dhe do të zgjasë deri më 17 maj 2022.

Gjermania është një ndër partnerët kryesorë të Kosovës, si në fushën e IHD-ve, ashtu edhe në fushën e shkëmbimeve tregtare. Bazuar në të dhënat e Bankës Qendrore të Kosovës, IHD-të nga Gjermania gjatë vitit 2021 ishin 123.8 milionë euro, ndërsa bazuar në të dhënat e fundit nga Agjencia e Statistikave të Kosovës, eksporti i mallrave të Kosovës në Gjermani në muajin mars 2022 ka shënuar rritje prej rreth 46% krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit 2021.