Lajme
Ka goditur shitësin me shkop, dënohet me burg kosovari 71-vjeçar
Atij do t`i revokohet ekzekutimi me kusht i dënimit me burg prej 14 muajsh të shqiptuar më herët, ashtu që tani këtë dënim duhet ta mbajë efektivisht
Gjykata e Qarkut e Cyrihut ka dënuar një pensionist 71-vjeçar për sulm ndaj një punonjësi të rrjetit të shitjes Denner. Përveç gjobës, për shkak të një precedenti penal, ai duhet gjithashtu të mbajë 14 muaj burg, transmeton albinfo.ch.
Gjoba që i është caktuar atij përmban 180 njësi ditore prej 50 frangash, sipas vendimit, të cilin Gjykata e Qarkut e Cyrihut e ka publikuar të premten.
Njëkohësisht, atij do t`i revokohet edhe ekzekutimi me kusht i dënimit me burg prej 14 muajsh të shqiptuar në gusht 2019, shkruan sda.ch. Pensionisti nga Kosova, këtë dënim tash duhet ta mbajë edhe efektivisht. Dënimi i dikurshëm me kusht atij i ishte shqiptuar për incidentin kur kishte shtënë me armë zjarri në tokë në Langstrasse të Cyrihut për t’i dhënë fund një zënke.
Ndërsa incidenti, për të cilin u procesua të enjten, përfshinte një sulm ndaj një punonjësi të Denner, përcjell albinfo.ch. Ky i fundit e kishte ndaluar pensionistin rreth orës 20 të datës 16 shkurt 2021, pak para se të dilte nga dyqani: Ai kishte dyshuar se kishte vjedhur një shishe uji kur kishte blerë një kilogram dardhë.
Por pensionisti nuk kishte dashur të tregonte çantën e tij. Për më tepër, ai kishte kapur bastunin e tij me të dyja duart, e kishte ngritur lart dhe e kishte goditur punonjësin në fjalë me gjithë forcën, një herë në kokë dhe një herë në dorë, ka përshkruar rastin prokurorja në aktakuzën e saj.
Prokurorja e ka cilësuar ngjarjen si sulm të thjeshtë me objekt të rrezikshëm. Ajo ka kërkuar që të zbatohej dënimi me burg prej 22 muajsh. Brenda dënimit, ajo përfshinte dosjen kriminale të vitit 2019.
Avokatët pretendojnë për keqkuptim
Nga ana tjetër, i akuzuari në gjykatë ka theksuar se punonjësin vetëm e ka larguar me shkop dhe nuk e ka goditur fare.
Ndërsa avokati i kosovarit ka thënë se klienti i tij, i cili ka sëmundjen e Parkinsonit, është i dobët jo vetëm për shkak të moshës së tij dhe i paqëndrueshëm edhe kur qëndron në këmbë, transmeton albinfo.ch. Po të kishte tundur vërtet bastunin duke mbajtur ende qesen me dardha dhe një çantë mbi supe, do të kishte rënë përtokë. Prandaj, as që mund të bëhet fjalë për goditje.Mbrojtësi i pensionistit ka folur për një “keqkuptim serioz dhe total”. 71-vjeçari kishte supozuar gabimisht se ndodhej në një situatë kërcënuese.
Kërcënime ndaj familjes
Në kohën e ngjarjes ndaj djalit të tij po zhvillohej një procedim penal për vrasje. Në dhjetor të vitit 2021, Gjykata e Lartë e kishte dënuar djalin me 16.5 vjet burg, transmeton albinfo.ch. Ai kishte shtënë me armë në një pikë karburanti në drejtim të një grupi kundërshtar dhe kishte qëlluar nga pas një kundërshtar 30-vjeçar.
Avokati deklaroi se në atë kohë ishin marrë kërcënime nga familja e viktimës. 71-vjeçari ishte nën presion emocional, frika e hakmarrjes ishte e madhe. Prandaj erdhi ky “përshkallëzim krejtësisht absurd”.
Mbrojtësi e ka vlerësuar sulmin me shkop si një sulm të thjeshtë. Ai i kërkoi gjykatës t’i shqiptonte klientit të tij një gjobë prej 700 frangash ose një gjobë me kusht.
Vendimi nuk është ende i plotfuqishën. Mund të apelohet në Gjykatën Supreme të Kantonit të Cyrihut.
E-Diaspora
-
Florian Haçkaj: Një jetë përtej kufijve dhe një mision për Shqipërinë Suksesi më i madh i Lëvizjes që drejton Florian Haçkaj ishte fitorja në Gjykatën Kushtetuese të...
-
Valdete Hoti, figurë frymëzuese dhe sinonim i humanizmit
-
43 orë në bllokim trafiku për të arritur në Kosovë nga Zvicra
-
Abdixhiku aludon se nga mbi 100 mijë të regjistruar për votim nga diaspora, 40 mijë janë mbështetës të LDK-së
-
Krishtlindjet mes luksit, atdhedashurisë dhe humanizmit të familjes së Anton Nikollës
Jeta në Zvicër
-
Tarifa e urgjencës prej 50 frangash vazhdon të shkaktojë polemika Polemika po rritet në lidhje me dënimin e propozuar për njerëzit që kërkojnë kujdes mjekësor urgjent...
-
Posta në Zvicër: Rekord i dërgimit të pakove për Krishtlindje
-
Gjykata Federale merr vendim për pensionin e burrave të ve
-
Çfarë faturash duhet të paguani përpara datës 31 dhjetor, në Zvicër?
-
Zvicra ka indeksin më të ulët të mjerimit në botë