Ukraina

BE: Lufta në Ukrainë rriti koston e jetesës

Me inflacionin në Eurozonë që po prek rekordin dhe Belgjikën që ka një nga kuotat më të larta, mbi 8%, rritja e shpenzimeve për ushqimin, pijet dhe transportet po zemëron banorët e Brukselit. Deri tani, ata janë të shqetësuar, por jo në panik.

“Mielli, sheqeri dhe vaji janë më të shtrenjtë. Shpresojmë që situata në Ukrainë të qetësohet dhe t’i kthehemi normalitetit”, thotë një burrë.

Realiteti është se lufta në Ukrainë do të shkaktojë më shumë diskriminim social dhe varfëri në Evropë, pas masave antikrizë dhe pandemisë.

“Po të mos ishte për shoqërinë civile dhe furnizuesit që mbushin boshllëqet e lëna nga qeveritë, njerëzit nuk do kishin akses as te gjërat bazike, apo te të drejtat sociale”, thotë Helen Willets, nga Platforma Sociale.

Me rritjen e çmimeve të shtëpive, energjisë, transporteve dhe ushqimeve, ekonomistët thonë se sektori publik duhet të sigurojë burime të ndryshme furnizimesh dhe të rrisë rrogat.

“Nuk shoh mënyrë tjetër për të dalë nga kjo situatë përveç forcimit të fuqisë blerëse te njerëzit duke rritur rrogat”, shprehet David Rinaldi, ekonomist.

Ndërkohë, pronarët e dyqaneve në lagjen turke të Brukselit po e plotësojnë boshllëkun e mungesës së miellit në supermarkete dhe po shesin artikuj bazë me çmime të arsyeshme.

“Normalisht, për të bërë bukën duhet mielli. Por herë pas here duhet miell i ndryshëm dhe kjo është normale. Dikush erdhi këtu, bleu tre herë nga 25 kile dhe kaq”, thotë një pronar dyqani.

Ndërkohë, në Strasburg, të mërkurën, ligjvënësit evropianë paralajmëruan për impaktin social dhe ekonomik të luftës në Ukrainë te bizneset dhe konsumatorët./Euronews