Kosova

50 afaristë gjermanë njoftohen për mundësitë e shumta që ofron Kosova për investime të huaja

Ministrja Gërvalla i njofton afaristët gjermanë për mundësitë e shumta që ofron Kosova për investime të huaja, shkruan albinfo.ch.

Zëvendëskryeministrja dhe ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, znj. Donika Gërvalla, priti sot një grup prej më shumë se 50 afaristësh gjermanë, të cilët janë duke qëndruar për një vizitë 3-ditore në Kosovë.

Në takim me afaristët gjermanë, ministrja Gërvalla i njoftoi ata lidhur me potencialin e madh të vendit dhe vullnetin e Qeverisë së Kosovës për t’i përkrahur e për t’i garantuar investimet e huaja në Kosovë.

Investorët e huaj u informuan për klimën e favorshme të investimeve, politikën fiskale dhe mbrojtjen ligjore për investimet e huaja.

Zonja Gërvalla vuri në pah veçanërisht njohuritë e gjuhës angleze dhe asaj gjermane, shkathtësitë e larta dhe zellin e madh për punë të qytetarëve të Kosovës.

Gjithashtu, investorët gjermanë u njoftuan për normat e ulëta tatimore që aplikohen në Kosovë, për sistemin e sigurt bankar, qasjen e lehtë dhe të shpejtë në tregjet rajonale dhe evropiane, shmangien e taksimit të dyfishtë dhe lehtësitë e tjera që ofrohen për investimet e huaja.

Gjatë diskutimit me afaristët gjermanë u identifikuan disa sektorë, të cilët ofrojnë mundësi më të mëdha për investime të huaja, si: sektori i teknologjisë informatike, i përpunimit të drurit dhe metalit, minierave dhe mineraleve, përpunimit të ushqimit, energjisë së ripërtëritshme, etj.

Në takim u vu në pah edhe legjislacioni për investime të huaja, i cili është i harmonizuar me ligjet e BE-së, si dhe avantazhet dhe garancitë që  ofrohen për investorët e huaj përmes Ligjit për Investime të Huaja dhe Ligjit për Investime Strategjike.

Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës për vitin 2022 ka përcaktuar prioritetet të saj fuqizimin e diplomacisë ekonomike në misionet  diplomatike dhe konsullore, me qëllim që investitorët e huaj potencialë të njihen me mundësitë e mëdha të investimeve në Kosovë. /Albinfo.ch