Lajme

Hiqet obligimi i mbajtjes së maskave në aeroplan

Një vendim i papritur gjykate i jep fund mbajtjes së detyrueshme të maskës në mjetet e transportit në SHBA.

Gjykatësja Chatherine Kimball Mizelle tha se nuk ka nevojë për një tjetër seancë për të vendosur se rregulli e tejkalon autoritetin e qendrës për kontrollin dhe parandalimin e sëmundjeve.

Vendimi, fillimisht shkaktoi paqartësi tek industria e udhëtimit, por tani një numër në rritje i kompanive ajrore konfirmojnë se maska nuk është më e detyrueshme në fluturimet e tyre.

Qeveria federale nisi të kërkonte mbajtjen e maskave në avionë, trena, autobusë, anije dhe terminale në shkurt të 2021-shit.

Javën e kaluar, siç raporton Cnn, administrata Biden zgjati edhe më tej masën që do të skadonte më 3 maj, përballë rritjes së rasteve me koronavirus. Po vetëm disa orë më herët, lobi i industrisë ajrore i kishte shkruar Shtëpisë së Bardhë për të kërkuar shfuqizimin e urdhrit, transmeton Albinfo.ch.

“E kemi bërë për dy vjet dhe ka ardhur koha të heqim dorë duke ua lënë në dorë individëve”, deklaroi Ed Bastian, CEO i Delta Airlines.

Gjykatësja Mizelle u emërua si gjykatëse federale në vitin 2020 nga atëherë presidenti Donald Trump. Në vendimin e saj, thotë se pasagjerët ishin zhvendosur me forcë nga sedijet e tyre, u ishte mohuar hyrja në autobusë dhe ishin refuzuar në stacionet e trenave. Në orët që pasuan vendimin, pasagjerët në aeroportet rreth vendin vazhdonin të mbanin maskë, ende të painformuar për ndryshimin e rregullave.