Bota

Kaq ka fituar presidenti amerikan, Joe Biden në vitin 2021

Publikimi i deklaratave tatimore është pjesë e politikës amerikane për Presidentin dhe politikanë të tjerë të rangut të lartë

Presidenti amerikan Joe Biden dhe gruaja e tij Jill kanë fituar 610,000 dollarë (565,000 €) vitin e kaluar. Kjo del nga deklarimi tatimor i Bidenit për vitin 2021, të cilin Shtëpia e Bardhë e ka publikuar në mënyrë rutinore të premten, transmeton albinfo.ch.

Çifti gjatë periudhës së njejtë ka paguar rreth 184,000 dollarë taksa, shkruajnë agjencitë e lajmneve dpa dhe sda.

Qendra qeveritare theksoi se Biden deri më sot ka bërë publike vjet deklarata tatimore përgjatë 24 viteve të fundit.

Publikimi i deklaratave tatimore është pjesë e politikës amerikane për Presidentin dhe politikanë të tjerë të rangut të lartë.

Por, paraardhësi i Bidenit, Donald Trump, kishte refuzuar gjithmonë të ndiqte këtë traditë si president.

Trump ka qenë prej kohësh i përfshirë në procese gjyqësore rreth të dhënave të tij financiare dhe tatimore, dhe ai po bën përpjekje të mëdha dhe në mënyra të ndryshme për të parandaluar zbulimin e dokumenteve, përcjell albinfo.ch. Në vitin 2020, në mes të fushatës zgjedhore presidenciale në atë kohë, “New York Times” kishte raportuar se republikani nuk kishte paguar pothuajse asnjë taksë prej vitesh. Trump e kishte mohuar këtë.

Sipas Shtëpisë së Bardhë, Zëvendëspresidentja e SHBA Kamala Harris dhe bashkëshorti i saj, Doug Emhoff, kanë  raportuar të ardhura prej rreth 1.66 milionë dollarë (1.54 milionë euro) për vitin 2021, për të cilat ata kanë paguar rreth 700,000 dollarë taksa.

“New York Times” ka shkruar të premten se të ardhurat nga shitja e një prone dhe nga kujtimet e Kamala Harris kanë kontribuar në të ardhurat e të dyve, transmeton albinfo.ch. Në vitin 2019, të dy kishin të ardhura totale prej gati 3.3 milionë dollarësh. Harris ishte senatore në atë kohë dhe Emhoff kishte një punë fitimprurëse si avokat.