Lajme

Zvicër: Qeveria miraton masterplanin për mbrojtjen kibernetike të ushtrisë

Forcat e armatosura të Zvicrës planifikojnë të investojnë deri në 2.4 miliardë CHF gjatë viteve të ardhshme për të rritur mbrojtjen kibernetike të vendit, përcjell albinfo.ch.

Duke paraqitur një dokument plani afatgjatë, ministrja e Mbrojtjes, Viola Amherd, theksoi nevojën për të forcuar mbrojtjen kundër sulmeve të mundshme kibernetike në infrastrukturën ushtarake.

Raporti është pjesë e një pasqyre gjithëpërfshirëse të strategjisë së mbrojtjes së Zvicrës dhe thekson jo vetëm rreziqet e aktiviteteve kriminale kibernetike, por edhe spiunazhin, manipulimin dhe dezinformimin në një konflikt të armatosur.

Lufta në Ukrainë e ka bërë të qartë rëndësinë thelbësore të komunikimit ushtarak, sipas Amherd. Ajo tha gjithashtu se një buxhet më i lartë i ushtrisë, siç kërkohet nga disa parti politike, do t’i lejonte forcat e armatosura të shpejtonin investimet në mbrojtjen kibernetike.

“Por nuk ka të bëjë vetëm me paratë. Ne kemi nevojë për trajnim dhe personel të përshtatshëm”, tha Amherd për televizionin publik SRF, përcjell tutje albinfo.ch.