Kosova

Inflacioni në Kosovë arrin në 10 për qind

Inflacioni në Kosovë arrin në 10 për qind në muajin mars, krahasuar me muajin e njëjtë të vitit të kaluar.

Sipas raportit të Agjencisë së Statistikave të Kosovës, rritja e inflacionit shpjegohet me ngritjen e çmimeve të konsumit dhe të shërbimeve.

Ndërsa inflacioni mujor i matur nga indeksi i harmonizuar i çmimeve të konsumit ishte 2.7 për qind në muajin mars 2022.

Sipas kësaj agjencie, ngritja më e madhe e çmimeve vërehet te faturat e energjisë elektrike me 13 për qind, pasuar nga gazi me 11.4 për qind.

Vajrat dhe yndyrat ushqimore kanë pasur rritje prej 11.3 për qind, pijet alkoolike për 5.9 për qind, ndërkaq veshjet për 4.9 për qind, u tha në indeksin e harmonizuar të çmimeve të konsumit.

Në muajin shkurt, shkalla e inflacionit ishte 7.5 për qind, ndërsa në janar 7.1 për qind.

Invazioni ushtarak rus në Ukrainë që nga 24 shkurti ka ndikuar që të ngriten çmimet e produkteve esenciale ushqimore edhe në tregun e Kosovës, sidomos për derivatet e naftës, miellit dhe bukës, dhe vajit për gatim.