Lajme

Kryeministri britanik Xhonson gjobitet për mosrespektim të masave anti-COVID

Kryeministri britanik, Boris Xhonson dhe ministri i Financave, Rishi Sunak, do të gjobiten për shkak se nuk kanë zbatuar masat anti-covid.

Agjencia e lajmeve, Reuters shkruan se policia do të lëshojë edhe 30 gjoba të tjera, për njerëzit që morën pjesë në një tubim në zyrën e Johnson, duke e çuar në 50 numrin total.

Policia ka hetuar 12 tubime në zyrën e Xhonson në Downing Street dhe Zyrën e Kabinetit, pasi u zbulua se stafi i tij kishte shijuar festa me alkool.

Disa nga tubimet u zhvilluan në kohën kur njerëzit ndodheshin në karantinë për shkak të rasteve të shumta me koronavirus dhe po respektonin rregullat e vendosura nga qeveria.

Kundërshtarët politikë të tij i kanë kërkuar të japë dorëheqjen, duke thënë se ai mashtroi Parlamentin.

Kjo çështje kishte kërcënuar pozicionin e Johnson në fillim të këtij viti, kur një numër ligjvënësish në Partinë e tij Konservatore kërkuan që ai të largohej pasi besimi i publikut ra ndjeshëm dhe mbështetja për qeverinë u tkurr.

Por, lufta midis Rusisë dhe Ukrainës ka ulur përkohësisht protestat në drejtim të tij.