Shqipëria

Arrestohen 17 policë shqiptarë nën dyshimet për korrupsion

Në pikën kufitare të Morinë

Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) në Shqipëri ka njoftuar sot arrestimin e 17 punonjësve të policisë shqiptare në pikën kufitare të Morinës, pas një aksioni të përbashkët policor të zhvilluar me autoritetet e Kosovës, në lidhje me korrupsionin e ushtruar në doganë, përcjell albinfo.ch.

Sipas njoftimit të SPAK, gjatë hetimeve është dokumentuar veprimtaria e kundërligjshme e punonjësve të Policisë së Shtetit në Drejtorinë Vendore për Kufirin dhe Migracionin në Kukës gjatë kohës së kryerjes së shërbimit në Morinë.

Sipas Prokurorisë, janë arrestuar 17 punonjës policie, 14 shtetas dhe punonjës policie janë vënë nën arrest shtëpiak dhe 3 punonjës të tjerë janë pezulluar nga detyra.

“Veprimet e kundërligjshme konsistonin në rastet të shumta korruptive të kryera në vijimësi gjatë ushtrimit të detyrës nga e këtyre punonjësve, duke detyruar shtetas shqiptarë dhe të huaj që të paguanin shuma të ndryshme parash për kalimin nga Shqipëria në Kosovë dhe anasjelltas”, ka thënë SPAK.