Kriza në Ukrainë
Vrasja e civilëve, a po bën Rusia krime lufte?
Krime lufte janë shkeljet e ligjeve humanitare ndërkombëtare në një konflikt të armatosur. Sipas njoftimeve, civilët kanë qenë objektiv i këtyre krimeve në Ukrainë, së fundi në Butsha. Por ka edhe zona gri mbi çështjen.
Konventat e Hagës të viteve 1899 dhe 1907 dhe një sërë marrëveshjes multilaterale janë kthyer në ligje dhe rregulla ndërkombëtare, të cilat duhen respektuar nga palët që ndodhen në luftë.
Përcaktimi i një krimi lufte kundër civilëve është ankoruar në Ligjin 8 të Statuteve të Romës për Gjykatën Penale Ndërkombëtare dhe bazohet në Konventat e Gjenevës të vitit 1949.
Ndërkohë që politikanët dhe vëzhguesit flasin për krime lufte të kryera në Ukrainë, “për momentin deri sa të mblidhen dhe verifikohen dëshmitë dhe të bëhet konformimi dhe kontrolli i dyfishtë i tyre, ne mund të flasim vetëm për krime të pandehura lufte,” thotë Maria Varaki, lektore për të drejtën ndërkombëtare dhe bashkëdrejtuese e një grupi kërkimor për krimet e luftës në Shkollën e Lartë “King’s College London”.
Avokatët quajnë krime lufte shkeljet e rënda të Konventave të Gjenevës. “Ne jemi duke folur për vrasje të vullnetshme civilësh, për tortura, për zhvendosje me forcë të njerëzve, për vrasje në masë. Sepse një nga parimet bazë të ligjeve të luftës është që civilët nuk duhet të vriten,” thotë Varaki.
Prandaj, sulmet në shkolla dhe maternitete në Kiev ose në Teatër në Mariupol, janë shkelje të këtyre ligjeve.
“Dhe 48 orët e fundit ne kemi parë njerëz me rroba civile në rrugë (në Butsha) dhe disa prej tyre janë ekzekutuar me një plumb mbrapa kokës. Këto janë mizori, sipas ligjeve humanitare ndërkombëtare,” thotë Varaki.
Zona gri të ligjit
Si në të gjitha aspektet e luftës ekzistojnë zona gri edhe sa i përket definicionit të krimit të luftës. Për këtë arsye e drejta humanitare ndërkombëtare orientohet në tre parime: — dallimin, proporcionalitetin dhe masat paraprake — që përcaktojnë se palët në një konflikt nuk mund të godasin mbi civilët ose objektet civile.
Këto parime shfaqen shumë të qarta në letër, por ato janë të hapura për interpretime, për shembull nëse një objekt civil shihet si objektiv ushtarak në bazë të përdorimit, qëllimit dhe funksionimit.
“Unë mund t`ju jap si shembull bombardimin e një kompleksi dyqanesh. Ukrainasit thonë se kemi të bëjmë dukshëm me infrastrukturë civile. Rusët thanë se kanë pasur të dhëna të shërbimeve të inteligjencës se kompleksi është përdorur si vend magazinimi për qëllime ushtarake,” thothë Varaki.
Megjithëse ekzistojnë ligjet për të kufizuar vuajtjet njerëzore, parimet e tyre shpesh abuzohen dhe manipulonen.
“Çdo gjë bazohet në interpretim dhe gjykimin njerëzor: kur të godisni, çfarë të godisni dhe sa ta godisni,” thotë Varaki.
Përdhunime dhe dhunë seksuale
Përdhunimi dhe dhuna seksuale konsiderohen krime lufte dhe shkelje të ligjeve humanitare ndërkombëtare. Kjo është ankoruar në ligjin 27 të Konventave të Gjenevës të vitit 1949.
Gjykatat që ngrihen pasi ndodh një incident, që quhen anglisht ad hoc tribunals, dhe Statutet e Romës për Gjykatën Penale Ndërkombëtare kanë përcaktuar një listë të detajuar të krimeve me bazë gjinore.
Rezoluta 1820 e OKB, e vitit 2008, ripërcakton se përdhunimi mund të përbëjë krim lufte dhe mund të përdoret si armë në luftë.
Si Prokurori i Përgjithshëm ukrainas ashtu edhe Gjykata Penale Ndërkombëtare kanë thënë, se do të fillojnë hetimet për dhunën seksuale të raportuar.
Por, thotë Varaki, këtu qëndron problemi. “Çështja këtu është sa e lehtë do të jetë të bëhet dokumentimi. Jemi duke folur për viktima shumë vulnerabël. Me sa di unë rusët janë munduar të mbulojnë gjurmët e këtyre krimeve duke djegur viktimat e dhunës gjinore.”
Pavarësisht nga këto përpjekje për të fshehur krimet, ajo mendon se gjithnjë e më shumë incidente do të zbulohen dhe do të hetohen. “Ne kemi pasur viktima që kanë ardhur nga territoret e kontrolluara prej rusëve dhe po i tregojnë tani botës historitë e tyre të tmerrshme.”
Gjenocidi
Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelenskyy, ka akuzuar trupat ruse se kanë kryer gjenocid. Ky term përdoret kur kemi të bëjmë me përpjekje të qëllimshme për të shkatërruar një grup nacional, etnik, racor apo fetar.
Sidoqoftë, ne jemi sërish në ujëra të turbullta ligjore. Genocidi, teknikisht një krim kundër njerëzimit mund të ndodhë edhe në kohë paqeje, jo vetëm gjatë luftrave apo situatave konfliktuoze.
“Po të flasim sipas ligjit, është shumë e vështirë të provosh gjenocidin si krim. Ju duhet të provoni se kanë ekzistuar synime gjenocidiale për të provuar se është kryer gjenocid ndaj një grupi të caktuar njerëzish, sipas krimeve të gjenocidit që kemi në Statutet e Romës, por edhe në Konventën për Gjenocidin të 1948,” thotë Varaki.
Ajo vë në dukje se e rëndësishme është ta gjykosh fjalën gjenocid sipas rëndësisë semiotike. “Ajo ka vlera të veçanta emocionale. Kur politikanët e përdorin atë, ata nxisin një reagim të caktuar emocional.”
“Pra, politikanët e përdorin fjalën gjenocid për qëllime të tjera. Por po të flasim ligjërisht, është shumë, shumë e vështirë të provosh krimin e gjenocidit.”/DW
E-Diaspora
-
Florian Haçkaj: Një jetë përtej kufijve dhe një mision për Shqipërinë Suksesi më i madh i Lëvizjes që drejton Florian Haçkaj ishte fitorja në Gjykatën Kushtetuese të...
-
Valdete Hoti, figurë frymëzuese dhe sinonim i humanizmit
-
43 orë në bllokim trafiku për të arritur në Kosovë nga Zvicra
-
Abdixhiku aludon se nga mbi 100 mijë të regjistruar për votim nga diaspora, 40 mijë janë mbështetës të LDK-së
-
Krishtlindjet mes luksit, atdhedashurisë dhe humanizmit të familjes së Anton Nikollës
Jeta në Zvicër
-
Tarifa e urgjencës prej 50 frangash vazhdon të shkaktojë polemika Polemika po rritet në lidhje me dënimin e propozuar për njerëzit që kërkojnë kujdes mjekësor urgjent...
-
Posta në Zvicër: Rekord i dërgimit të pakove për Krishtlindje
-
Gjykata Federale merr vendim për pensionin e burrave të ve
-
Çfarë faturash duhet të paguani përpara datës 31 dhjetor, në Zvicër?
-
Zvicra ka indeksin më të ulët të mjerimit në botë