Lajme

Zvicër: Komisioni parlamentar, kundër ndalimit të tregtimit të gazit rus

Kështu, ndalimi i tregtisë së gazit rus ka dështuar me një rezultat të ngushtë (13 kundrejt 12) kundër mocionit përkatës

Komiteti i Punëve të Jashtme i Dhomës Nacionale të Parlamentit të Zvicrës (APK-N) ka pasur sot një diskutim me Ministrin e Jashtëm (njëherësh president i vendit) Ignazio Cassis rreth politikës së sanksioneve të Zvicrës kundër Rusisë, transmeton albinfo.ch.

Me këtë rast, komisioni në fjalë është shprehur kundër kërkesave të menjëhershme për korrigjim (ashpërsim) të sanksioneve në fjalë.

Kështu, ndalimi i tregtisë së gazit rus ka dështuar me një rezultat të ngushtë kundër mocionit përkatës, shkruan agjencia e lajmeve SDA.

Me një votim 13 kundër 12, komisioni ka refuzuar të ndalonte tregtinë fizike dhe tranzite të gazit, naftës dhe qymyrit nga kompanitë në pronësi me shumicë nga Federata Ruse ose nga persona me lidhje të ngushta biznesi me Kremlinin.

Mocioni, tashmë i refuzuar, kërkonte që ndalimi i tregtisë duhet të zbatohet menjëherë dhe deri në përfundimin e luftës në Ukrainë, kanë njoftuar të martën shërbimet parlamentare.