Kinema
Blerta Basholli: “Filmi `Zgjoi` ka tejkaluar pritjet e mia, si autore”
"Është shumë mirë që filmi ka arritur të shihet nga publiku në shumë shtete të botës, kanë shkruar gazetat më të mëdha botërore për Kosovën, për kinematografinë, për ne, që ishim pjesë e filmit dhe për zonjën Fahrije Hoti"
Pas një rrugëtimi të gjatë dhe të suksesshëm nëpër shumë kinema dhe festivale botërore, filmi kosovar “Zgjoi”, duke filluar nga 6 prilli do të fillojë të shfaqet edhe në rrjetin e kinemave të Zvicrës Frankofone (perëndimore). Me këtë rast, albinfo.ch, në cilësinë e partnerit medial, ka bërë një intervistë me regjisoren dhe skenaristen e filmit, Blerta Bashollin.
Autorja e filmit deri më tani më të suksesshëm kosovar, flet për pritjet, për çmimet që ka fituar filmi, pastaj për punën me përkushtim që është bërë nga i gjithë ekipi si dhe për kënaqësinë me faktin që ky film e ka bërë më të njohur Kosovën në botë.
Albinfo.ch: Filmi “Zgjoi” ka kaluar tashmë një hark kohor që lejon të bëhet njëfarë rekapitullimi, bilanci i pjesshëm rreth tij. Si do ta bënit këtë bilanc ju, si autore, regjisore dhe skenariste: Cilat janë sukseset që ka arritur, trofetë që ka fituar dhe cilat jo. Duhet thënë se me gjithë pritjet shumë reale, ai nuk arriti të nominohet për Oscar. A jeni të dëshpëruar me këtë apo e keni marrë me “sportivitet”?
Blerta Basholli: Jo, nuk jam dëshpëruar aspak. Ne e kemi filluar dhe përfunduar filmin “Zgjoi” me shumë dashni dhe përkushtim dhe asnjëherë nuk kemi diskutuar e as menduar se do të arrijmë të futemi në listë të ngushtë për Oscars. Megjithat, këtë e arritëm. Natyrisht që deshëm të nominohemi për këtë edhe garuam, por filmi është futur në mesin e 15 filmave më të mirë nga e gjithë bota, nga 93 sa konkurruan. Bëri histori në “Sundance Film Festival”, mori gjithsej 22 çmime nga festivale të ndryshme, e shumë nominime tjera, u distribuua nga 20 distributorë, të cilët mbulojnë mbi 50 shtete, ndër to edhe SHBA-në dhe Kanadanë, madje duke u lansuar në kinema në shumë vende, që është hera e parë për një film nga Kosova. Për mua është shumë mirë që filmi ka arritur të shihet nga publiku në shumë shtete të botës, kanë shkruar gazetat më të mëdha botërore për Kosovën, për kinematografinë, për ne, që ishim pjesë e filmit dhe për zonjën Fahrije Hoti (rrëfimi jetësor i së cilës është shndërruar në film). Mendoj se si projekt ka arritur mjaft njohje.
Albinfo.ch: Sigurisht, rruga e “Zgjoit” nuk ka përfunduar. Mund të na përmendni pjesëmarrjen që keni pasur në ndonjë festival tjetër filmi muajve të fundit? Dhe ndonjë tjetër, ku pritet të merrni pjesë në të ardhmen e afërt?
Blerta Basholli: Po, festivalet e fundit ku ne kemi marrë pjesë kanë qenë në Skotlandë në ST Andrews, në “Dublin Film Festival” ku edhe morëm çmimin nga Asociacioni i Kritikëve të Dublinit, në “Al EST” në France, pastaj kemi edhe festivalin në Bruksel etj.
Albinfo.ch: A përputhen këto arritje me pritjet që keni pasur ju: Janë më të vogla apo kanë tejkaluar ato?
Blerta Basholli: Janë tejkaluar pritjet e mia. Kur e bën një film nga një vend i vogël si Kosova, me buxhet gjithashtu të vogël, është e vështirë të dish nëse publiku do të reagojë mirë ndaj projektit dhe nëse do të kuptojnë ngjarjen, andaj më shumë jemi fokusuar që të punojmë sinqerisht në këtë projekt sesa të presim, por personalisht kam qenë shumë skeptike.
Albinfo.ch: Mund të na thoni, a ju ka mësuar ndonjë gjë të re rruga që pati filmi “Zgjoi”. Çfarë do të bënit ndryshe dhe çfarë njësoj, në një film të radhës?
Blerta Basholli: Më ka mësuar shumë dhe jam rritur duke e bërë këtë film. Nuk do të ndryshoja asnjë gjë.
Albinfo.ch: Si jeni ndarë me shfaqjen e filmit në Zvicrën gjermane, shtator – nëntor të vitit të kaluar? Apo kjo periudhë e gjatë e shfaqjes flet vetë për suksesin e tij?
Blerta Basholli: Kemi kaluar shumë mirë. Në Zvicër ka qenë ndjenjë e veçantë shfaqja e filmit sepse komuniteti shqiptar ishte prezent kudo dhe e bëri shfaqjen e filmit më emocionale dhe më të ngrohtë.
Albinfo.ch: Tani, duke filluar nga 6 prilli, filmi do të shfaqet edhe në rrjetin e kinemave të Zvicrës frankofone. A pritni një sukses të ngjashëm?
Blerta Basholli: Kemi pasur shumë kërkesa për film në Zvicër, edhe pas shfaqjes në pjesën gjermane, andaj uroj që njerëzit e interesuar të jenë të informuar dhe të kenë mundësi të shohin filmin. Besoj qe do të ketë prezencë të mirë të publikut.
Albinfo.ch: Me sa kemi mundur të shohim, deri më tani, në Zvicër ka pasur më shumë shfaqje të filmit se në cilindo vend, ndoshta, veç Kosovës. A është shfaqur filmi edhe në ndonjë rrjet të kinemave të ndonjë shteti tjetër? Nëse po, cila ka qenë shikueshmëria?
Blerta Basholli: Zvicra është bashkëproducente e filmit, andaj është pjesë e filmit “Zgjoi”. Filmi është shfaqur në kinema edhe në Amerikë, në Spanjë, në Greqi, Angli dhe Irlandë. Tani, në muajin prill do të fillojë edhe në Francë. Gjermania dhe Austria ende nuk i kane fiksuar datat.
Albinfo.ch: Tani një pyetje për ju: A keni nëpër duar ndonjë skenar ose ndoshta, jeni duke punuar në ndonjë film?
Blerta Basholli: Po, pikërisht në këtë moment jam duke punuar në skenarin tim të ri, i cili flet për vitet e 90-ta në Prishtinë.
Nga 6 prilli, “Zgjoi edhe në kinematë e Zvicrës frankofone
Filmi “Zgjoi”, duke filluar nga 6 prilli do të jetë edhe në rrjetin e kinemave të Zvicrës Frankofone (perëndimore).
Siç njofton për albinfo.ch distributori i filmit “Frenetic Films” me seli në Cyrih, një ditë më parë, më 5 prill do të jepen dy premierat e para, me praninë në sallë, të regjisores, Blerta Basholli. Kjo do të jetë: Të martën më 5 prill në orën 18:00 në La-Chaux-de-Fonds (si pjesë e Festivalit Film du Sud) dhe po atë ditë, më 5 prill, por me fillim në orën 20:30 në Neuchâtel (po kështu si pjesë e Festivalit Film du Sud).
Të ngjashme
Të tjera nga Kinema
E-Diaspora
-
Frankfurt: Agnesa Kolica, fituese e “Çmimit për Integrim” Ky çmim është një shembull i shkëlqyer për diasporën tonë...
-
Gjermani: Festohet 112-vjetori i Pavarësisë së Shqipërisë
-
Një yll në ngritje: Fiona, sopranoja e verbër, me zë brilant
-
Londër: Shënohet 112-vjetori i Pavarësisë së Shqipërisë
-
Pesë gjeodetë nga Kosova magjistrojnë në Vjenë
Jeta në Zvicër
-
Gjermania lëviz për ta bërë jetën më të lirë për blerësit nga Zvicra Ndërsa rregullat e reja zvicerane do t'i bëjnë blerjet ndërkufitare më pak fitimprurëse për njerëzit nga...
-
I kanë marrë priftit 300 mijë franga, me mashtrim: Dënohen dy kosovarë
-
Zvicër: Më shumë fuqi vjen nga dielli
-
Nesër, në Cyrih, protestë e heshtur kundër paraqitjes së Vuqiçit në Zvicër
-
Realizimi i pagës minimale të planifikuar në Cyrih ballafaqohet me pengesa