Futboll

Fidan Aliti, preshevari nga Zvicra, që mbron ngjyrat e Kombëtares së Kosovës

Në intervistën për albinfo.ch, Fidan Aliti, mbrojtësi i Kombëtares së Kosovës në futboll flet për ndjenjën e veçantë të tij, si futbollist i rritur dhe formuar në Zvicër, që luan për Kosovën, kundër Zvicrës

29 marsi, data kur do të luhet ndeshje miqësore mes dy shteteve mike, po afron. Fjala është për lojën Zvicër – Kosovë, që do të zhvillohet në stadiumin e Cyrihut. Pikërisht këtë stadium, preshevari që do të luajë për Kosovën, Fidan Aliti e ka shtëpi të ekipit të tij, Cyrihut (FC Zürich).

Aliti, i lindur e rritur në Zvicër, me frymë e edukatë shqiptare, e ka të rrënjosur brenda vetes dashurinë ndaj Kosovës. Ndoshta edhe kjo ishte arsye që ai u bë dhëndërr i Kosovës. Por sidoqoftë, përfaqësimi i tij në ekipin e kombëtares së Kosovës, atmosfera në këtë skuadër, emocionet para ndeshjes Zvicër-Kosovë, e pritshmëritë për rezultatin, janë pikat në të cilat mbrojtësi Aliti u ndal gjatë një bisede me Albinfo.ch.

Për pak “harruam”: gjatë intervistës Aliti tregon edhe se a e ka problem që t’i shënojë gol kombëtares zvicerane, fiks në stadiumin e ekipit të tij, Cyrihut.

Albinfo.ch: Cila është atmosfera aktuale tek ekipi i Kosovës në prag të ndeshjes që do të zhvillojë kundër Zvicrës?

Fidan Aliti: Për momentin, siç e dini edhe ju, ne e kemi një trajner të ri, dhe nuk e dimë ende se çfarë na pret. Por në fund të fundit s’ka rëndësi, kushdo që të jetë trajner, ne do të shkojmë aty për të dhënë maksimumin sepse ne luajmë për Kosovën, e ky është motiv shumë i madh.

E dijmë se tani fillon një periudhë e re miqësore, për kualifikimet, edhe ne e dijmë se ky është shans i ri për ne që të kualifikohemi në Europian, e kjo është për ne një motiv që të arrijmë diçka për Kosovën.

Albinfo.ch: Çka do të thotë për ju, që jeni rritur e formuar si futbollist në Zvicër, t`i mbroni ngjyrat e përfaqësueses së Kosovës?

Fidan Aliti: Të luash për Kosovën është fat. Fat i madh që e kemi ne, sepse kur luan për Kosovën duhesh të jesh krenar. Edhe prindërit e mi gjithmonë ma kanë mësuar këtë: se duhet të jesh krenar që je shqiptar. Dhe të përfaqësoj shtetin tim është gjë e madhe, jo vetëm për mua, por për tërë familjen time.

Albinfo.ch: Për ju personalisht, ndoshta edhe për familjen, është një krenari shtesë, sepse në aspektin si e shohim ne ju jeni tanët, por megjithatë jeni jashtë vijës shtetërore të Kosovës, realisht jeni në Preshevë. Cilat janë emocionet që t’i sjellë nga Presheva si lojtar që luan për Kosovën? Çfarë thonë njerëzit atje?

Fidan Aliti: Njerëzit janë shumë krenarë që kanë një bashkëvendës që përfaqëson Preshevën në ekipin e Kosovës. Ndërsa unë besoj se e kam një përgjegjësi që e përfaqësoj gjithë Luginën në Kosovë, dhe siç është dëshira e Luginës për të qenë pjesë e Kosovës, ashtu ka qenë dëshira ime për të luajtur për Kosovën. Ëndrra ime është bërë realitet por shpresojmë se edhe ajo ëndrra tjetër të bëhet realitet.

Albinfo.ch: Keni një karrierë interesante në futboll, pasi keni luajtur në grupmoshat e reja të Zvicrës, keni luajtur në kampionat në Shqipëri, jeni kthyer prapë në Zvicër, realisht jeni duke luajtur për FC Zürich-un, një ekip që po shkon drejt rrugës së shpalljes kampion. Si e përmblidhni me pak fjalë gjithë karrierën tuaj?

Fidan Aliti: Une besoj se karriera ime duhet të jetë një motivim për të rinjtë, që e shohin se nuk është vetëm një drejtim për të arritur diçka. Për të arritur qëllimin tuaj gjithmonë ka rrugë të ndryshme dhe nuk është vetëm një e tillë, pra kur në një rrugë ta mbyll dikush derën, duhet të marrësh tjetrën. E këtë e kam bërë une, me shumë punë kam arritur, sepse pa punë nuk shkon.

Albinfo.ch: E thatë pak më parë që të është plotësuar një ëndërr për të luajtur për Kosovën. Por na tregoni, çfarë ju ka dhënë ju, Kosova?

Fidan Aliti: Emocione. Besoj se kjo është gjëja më e madhe. Edhe kur më pyesin njerëzit se si është të luash për Kosovën, une s’mundem ta shpjegoj me fjalë se çka do të thotë të luash për Kosovën. Për shembull, kur jemi rrugës nga hoteli për në stadium në ditën e ndeshjes, e sheh trafikun se gjithë njerëzit po shkojnë në stadium, sheh fëmijë të vegjël nëpër lagje, edhe e di që ata fëmijë të vegjël edhe 1-2 orë kanë për të shkuar në shtëpi, do të ndezin televizorin për të shikuar ty dhe për të thënë që Kosova po luan, e të nesërmen shkojnë në shkollë edhe thonë: a e shikove Alitin, a e shikove Muriqin, a i shikove ata…? Të gjitha këto janë emocione për mua.

 

Albinfo.ch: A janë rrahjet e zemrës më ndryshe kur keni një përgjegjësi të tillë?

Fidan Aliti: Është një përgjegjësi më e madhe, pa dashur të them presion, por e ke një përgjegjësi sepse ti e bën këtë edhe për të ardhmen e Kosovës. Për fëmijtë e vegjël, ti duhet të jesh një shembull i mirë e t’i motivosh edhe ata.

Albinfo.ch: Duke qenë se jeni rritur e formësuar mes dy kulturave, ju vetë si e ndjeni, sa jeni zviceran e sa shqiptar.

Fidan Aliti: Është një ndeshje emocionuese. Por prapë se prapë them, jashtë fushës jam i qetë dhe provoj që t’i shoh punët me disiplinë, siç e kanë edhe zvicëranët, të gjitha gjërat me kohë, ndërsa kur fillon ndeshja më del në pah më shumë ai shqiptari që ka inat, e ka vullnet më shumë se të tjerët për të arritur. Këtë e kemi ne shqiptarët në gjak. Për këtë e them që në fushë jam më shumë shqiptar se në çdo vend tjetër.

Albinfo.ch: Çka mendoni për lojën që ju pret?

Fidan Aliti: Zvicra është ekip i madh me shumë eksperiencë, dhe me profesionistë shumë të mirë, në nivel të lartë, por besoj se do të jetë një ndeshje, do të jetë si një festë për të gjithë shqiptarët që janë në Zvicër. Besoj se do të jetë emocionuese, edhe do të ndihem sikur të jem në Kosovë.

Albinfo.ch: A do ta kishit problem t`i shënoni gol Zvicrës, nese ju vjen rasti?

Fidan Aliti: Ishalla (shpresoj) që më vjen rasti se nuk e kam problem hiç, ha-ha-ha.

Albinfo.ch: Rezultati, cili mendoni se do të jetë?

Fidan Aliti: Rezultat nuk dua të jap, vetëm shpresoj se do të jetë një lojë pozitive për neve.

“Në fushë jam më shumë shqiptar se në çdo vend tjetër”

“Jashtë fushës jam i qetë dhe provoj që t’i shoh punët me disiplinë, siç e kanë edhe zviceranët, të gjitha gjërat me kohë, ndërsa kur fillon ndeshja më del në pah më shumë ai shqiptari që ka inat, e ka vullnet më shumë se të tjerët për të arritur. Këtë e kemi ne shqiptarët në gjak. Për këtë e them që në fushë jam më shumë shqiptar se në çdo vend tjetër”.