Kriza në Ukrainë

Zelensky kërkon nga BE avionë luftarakë

Sipas tij, jo vetëm Ukraina por edhe shtete të BE-së po rrezikohen nga Rusia

Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, i ka bërë sërish thirrje Polonisë që të dërgojë avionë luftarakë dhe tanke për të ndihmuar në luftën kundër pushtimit rus.

Në një videokonferencë me homologun e tij polak, Andrzej Duda, Zelensky paralajmëroi se nëse forcat e armatosura të Ukrainës nuk do të furnizoheshin me avionë luftarakë dhe tanke, ushtria ruse mund të përbënte një kërcënim për vendet fqinje të NATO-s.

“Nëse partnerët e Ukrainës nuk e ndihmojnë Kievin, atëherë ekziston një rrezik i lartë që ushtria ruse të përbëjë një kërcënim jo vetëm për territoret e fqinjëve tanë, Poloninë, Sllovakinë, Hungarinë, Rumaninë dhe vendet baltike, por edhe një kërcënim të drejtpërdrejtë të përgjithshëm ushtarak”, tha Zelensky të shtunën në mbrëmje, përcjell Albinfo.ch.

“Atëherë kufijtë dhe qytetet e fqinjëve do të kërcënoheshin nga rusët”, theksoi Zelensky.

Plani i Polonisë për të dërguar avionë luftarakë në Ukrainë nëpërmjet një baze amerikane në Gjermani duket se është hedhur poshtë pas kundërshtimeve të SHBA-së, pavarësisht lutjeve të Ukrainës.

Sipas Uashingtonit, një vendim i tillë mund të çonte në një konfrontim të drejtpërdrejtë mes forcave të NATO-s dhe ushtrisë ruse.
Ndërkohë, luftimet e ashpra kanë vazhduar në qytetin port të kontestuar të Mariupolit të shtunën, ndërsa forcat ruse kanë sulmuar gjithashtu për herë të parë qytetin më të madh të Ukrainës perëndimore, Lviv.