Kosova

Kosova ende s’e di çfarë do të ndodhë me infermierët e angazhuar gjatë pandemisë

Vitin e kaluar Kosova ka angazhuar staf shtesë shëndetësorë për të përballuar nevojat e pandemisë, përcjell Albinfo.ch.

Qeveria e Kosovës ka marrë vendimin për angazhimin e stafit shtesë – prej 1,286 vetash – nga gjysma e vitit të kaluar.

Por, nga Ministria e Shëndetësisë e Kosovës nuk tregojnë se çfarë do të ndodhë me qindra mjekë, infermierë dhe staf tjetër shëndetësor, që janë punësuar në spitalet e Kosovës për të plotësuar nevojat e menaxhimit të pandemisë së koronavirusit.

Këta punonjës kanë filluar punën në periudha të ndryshme, ndërsa kontrata që u është lëshuar, ka pasur afat gjashtëmujor ose tremujor, me mundësi vazhdimi për tre muajt e ardhshëm.

E kontaktuar nga Radio Evropa e Lirë, Ministria e Shëndetësisë nuk ka dhënë informacione se sa është numri i punonjësve, të cilëve u ka skaduar kontrata dhe sa vazhdojnë të mbeten në punë.

Në një përgjigje me shkrim, ajo ka thënë se vendimi për vazhdimin e kontratave do të merret “varësisht nga gjendja pandemike në vend”.

Aktualisht, Kosova është duke kaluar në një valë të lehtë të pandemisë, krahasuar me fundin e verës së vitit të kaluar, apo me javët e para të këtij viti, kur numri i të infektuarve brenda ditës me koronavirus ka arritur në disa mijëra.