Futboll

Kosova zhvillon sot ndeshjen nën drejtimin e Alain Giresse

Sot fillon një epokë e re për Kosovën

Kosovës do t’i prijë për herë të parë trajneri francez, Alain Giresse, i cili do ta pasojë të shkarkuarin Bernard Challandes.

Verdhekaltrit do t’i bëjnë gosti Burkina Fasos, në miqësoren e parë të muajit mars, e cila do t’i paraprijë asaj speciale ndaj Zvicrës, që do të luhet më 29 të këtij muaji.

Giresse, një emër i njohur në botë për karrierën si futbollist, e ka marrë në dorë ekipin dhe për disa ditë grumbullimi e pati mundësinë të njoftohej me lojtarët.

Ai u nda i kënaqur me aq sa pa, por natyrisht kërkon më shumë.

Në konferencë për shtyp, francezi tha se ky grumbullim i shërbeu për t’i njohur me lojtarët, e ndeshjet e marsit, vijoi ai, do ta ndihmojnë që ta ketë një pasqyrë më të mirë për përballjet me peshë, ato të Ligës së Kombeve, që do të nisin në muajin qershor.