Lajme

Rritja e çmimeve, në nivelin më të lartë gjatë 30 vjetëve të fundit

Rritja e çmimeve e ngriti inflacionin e Britanisë së Madhe në nivelin më të lartë të 30 vjetëve, pasi kriza e kostos së jetesës u intensifikua, sipas të dhënave zyrtare.

Zyra Kombëtare e Statistikave (ONS) theksoi se inflacioni i indeksit të çmimeve të konsumit (CPI) u rrit në 6,2% në shkurt, nga 5,5% në janar dhe duke arritur përsëri nivelin më të lartë që nga marsi 1992, kur ishte në kuotën e 7,1%, transmeton Dpa, përcjell Albinfo.ch.

Rritja ishte më e lartë se sa pritej dhe vjen pas rritjes së çmimeve të ushqimeve, veshjeve dhe këpucëve dhe një sërë produktesh e shërbimesh.

ONS tha se inflacioni është rritur në 10 nga 12 kategoritë që ushqejnë indeksin, ku vetëm komunikacioni dhe arsimi nuk panë rritje.

Ekspertët kanë paralajmëruar se çmimet do të rriten më tej, pasi konflikti në Ukrainë shtyn inflacionin tashmë në rritje, duke shtuar rritjen e çmimeve të energjisë, karburantit, lëndëve të para dhe ushqimit.

Një rritje në kufirin e çmimit të energjisë ka përkeqësuar situatën me të cilën përballen familjet britanike.

Javën e kaluar Banka e Anglisë rriti normat e interesit për herë të tretë që nga mesi i dhjetorit, në 0,75% nga 0,5% dhe paralajmëroi se inflacioni do të arrijë kulmin rreth 8% në prill dhe mund të arrijë në shifra dyshifrore nëse çmimet e energjisë me shumicë vazhdojnë të rriten.