Lajme

Në Gjykatën e Lartë të Cyrihut zhvillohet procesi ndaj 4 kosovareve, për dhunë ndaj shoqes së tyre

Kundër aktgjykimit janë ankuar tri nga të dënuarat dhe për këtë të mërkurën dhe të enjten po mbahet gjykimi në Gjykatën e Lartë. Seanca është caktuar për dy ditë, gjegjësisht vendimi do të merret nesër, e enjte

Në mars të vitit 2019, katër gra të reja kishin torturuar brutalisht dhe kishin ushtruar dhunë seksuale mbi shoqen e tyre, atëherë 20-vjeçare. Akti kishte ndodhur në një apartament në Kloten dhe kishte zgjatur për orë të tëra, transmeton albinfo.ch. Arsyeja: Sipas aktakuzës, viktima ka raportuar njërën nga katër sulmueset në Kesb (autoriteti për mbrojtjen e fëmijëve dhe të rriturve).

Në korrik të vitit 2020, Gjykata e Qarkut në Bülach i pati shpallur fajtore dy kosovaret dhe dy zviceranet me rrënjë kosovare për sulme seksuale, privim të lirisë dhe vepra të tjera.

E dyshuara kryesore, në atë kohë, 25-vjeçare qe dënuar me 44 muaj burgim efektiv (pa kusht). Motra e saj e bashkëakuzuar kishte marrë 36 muaj, nga të cilët duhet të vuajë 16 muaj, shkruan 20minuten.ch, e cila është duke ndjekur procesin e gjykimit në kohë reale. Të dyjave u është shqiptuar edhe dëbimi nga Zvicra, për 5 vite.

Kundër këtij gjykimi, tri të dënuarat kanë ushtruar ankesë në Gjykatën e Lartë (kantonale) të Cyrihut

Gjykata kishte vendosur dënimin me burg pa kushte prej 40 muajsh për pjesëmarrësen e tretë, një nënë e cila rëndohej me akuza nga viktima. Bëhet fjalë për gruan e cila e fajësonte viktimën se e kishte denoncuar në KESB. Ndërsa, e bashkëakuzuara e katërt ka marrë 28 muaj dhe duhet të mbajë 8 muaj në mënyrë efektive.

Të katër gratë e reja së bashku duhet t’i paguajnë viktimës një dëmshpërblim prej 25 mijë frangash.

Për gjykatën, veprat penale të kryera nga të katër të akuzuarat ishin të rënda dhe jo të zakonshme. Deklaratat e viktimës, të përshkruara në aktakuzë, janë konfirmuar nga katër gratë në gjykim, transmeton albinfo.ch. Sulmi seksual është kryer së bashku, gjë që ishte veçanërisht poshtëruese për viktimën. “E akuzuara ka vepruar si bandë”, është shprehur kryetari në aktgjykim.

Sipas aktakuzës, viktima është detyruar me dhunë nga sulmueset e saj të përdorte një lodër seksuale. Viktima është ankuar se ka pasur shumë dhimbje dhe i është lutur asaj që të ndalonte Por torturueset kanë vazhduar ta torturojnë atë. Në fund, asaj i janë prerë dhe  shkulur edhe zgjatimet e flokëve.

Sipas aktakuzës, kalvari për viktimkën më në fund ka marrë fund pak pas orës 07:30.

Kundër aktgjykimit janë ankuar tri nga të dënuarat dhe për këtë të mërkurën dhe të enjten po mbahet gjykimi në Gjykatën e Lartë. Seanca është caktuar për dy ditë, gjegjësisht vendimi do të merret nesër, e enjte.

Mbrojtësi i të akuzuarës kryesore kërkon shpalljen e pafajësisë

Ai kërkon lirimin e klientes së tij. Sipas avokatit mbrojtës, nuk ka dyshim se sjellja e grupit natën e krimit ka dalë jashtë kontrollit, përcjell albinfo.ch. “Klientes sime i vjen keq që ka qenë pjesë e dhunës dhe i vjen turp për këtë”. Por, deklaratat e të akuzuarave të tjera e kanë ngarkuar rëndë 27-vjeçaren dhe e kanë portretizuar atë si autoren kryesore, me përshkrime “ndonjëherë të pavërteta dhe të ekzagjeruara”, ka thënë avokati