Lajme

Ja sa kushton pasuria e oligarkëve të afërt me Putinin

Gazeta britanike ”The Guardian” po analizon pasuritë e shumta në botë që u atribuohen aleatëve të liderit të Kremlinit

Më shumë se 15 miliardë euro në asete globale, përfshirë llogari bankare off-shore, jahte, avionë privatë apo prona luksoze në Londër, në  Toskana dhe në Rivierën Franceze, kanë qenë të lidhura me 35 oligarkë dhe zyrtarë rusë që thuhet se kanë lidhje të ngushta me presidentin Vladimir Putin, sipas listës së emrave të treguar nga kryeopozitari rus, Alexei Navalny, përcjell Albinfo.ch.

Në bashkëpunim me Projektin e Raportimit të Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit (Organized Crime and Corruption Reporting Project) dhe media të tjera ndërkombëtare, gazeta britanike ”The Guardian” po analizon pasuritë e shumta në botë që u atribuohen aleatëve të liderit të Kremlinit dhe sot po paraqet rezultatet e para të një hetimi të madh, nga i cili detaje të tjera do të dalin.

Në qendër të këtij raporti janë oligarkët më të shquar rusë, si Roman Abramovich, Alisher Usmanov dhe Oleg Deripaska, përveç super miliarderëve të tjerë dhe ish-zyrtarëve të lartë, të cilët janë sanksionuar pothuajse të gjithë nga BE-ja, SHBA-ja dhe BM, pas pushtimit të Ukrainës nga Rusia.

Hulumtimi i realizuar përmes projektit të quajtur “Gjurmuesi rus i aseteve” (”Russian asset trucker”) ka lidhur emrat nën hetim me më shumë se 145 asete që përbëhen nga 35 ndërtesa, 43 apartamente dhe 27 të tjera pasuri të paluajtshme, shtatë jahte, plus 11 avionë privatë dhe helikopterë.