Lajme

Gjermania lehtëson masat

Lehtësimet vijnë edhe përkundër asaj se vendi vazhdon të ketë një rritje të numrit të rasteve.

Gjermania ka hequr sot disa nga masat kufizuese mbarëkombëtare kundër koronavirusit, duke shkaktuar shqetësime, pasi vendi vazhdon të ketë një rritje të numrit të rasteve.

Duke filluar nga e diela, pasagjerët e hekurudhës ndërqytetëse nuk do të kenë më nevojë të tregojnë një dëshmi të vaksinimit, një test negativ të kohëve të fundit. Shumica e bizneseve gjithashtu nuk do t’u kërkojnë më punonjësve dëshmi të tilla përpara se t’i lejojnë ata në vendet e punës, transmeton Dpa, përcjell Albinfo.ch.

Sidoqoftë, shumë rregulla të tjera të epokës së koronavirusit, si nevoja për vendosjen e maskave ​​në ambiente të mbyllura, do të mbeten në fuqi deri më 2 prill.

Përtej kësaj, shtetet thonë se vendimi i qeverisë federale për t’u dhënë fund rregullave mbarëkombëtare e bën vendin më të prekshëm ndaj sëmundjes.

Zbatimi i politikës shëndetësore mbetet ligjërisht në kompetencën e shteteve federale.
Ligjet e reja i lejojnë shtetet të përcaktojnë vatrat e infeksionit, në zonat me numrin më të lartë të rasteve, të cilat më pas mund t’u nënshtrohen rregullave më të rrepta shëndetësore.