Lajme
Arrin në Evropë sasia e parë e gazit nga Azerbaixhani
Gazsjellësi Trans Adriatik (TAP AG) njofton se një sasi prej 10 miliardë metër kub (bcm) gaz natyror nga Azerbaixhani ka hyrë tashmë në Evropë, nëpërmjet pikës së interkonjeksionit në Kipoi, në kufirin Greqi-Turqi, aty ku TAP bashkohet me gazsjellësin Trans Anatolian (TANAP).
Nga sasia 10 miliardë metër kub, rreth 8.5 miliardë metër kub janë dërguar në Itali.
Drejtori Menaxherial i TAP-it, Luca Schieppati, e cilësoi këtë si një arritje simbolike, por të rëndësishme, përcjell Albinfo.ch.
“10 miliardë metër kub (bcm) është një arritje simbolike, por shumë e rëndësishme. Pak më shumë se një viti nga fillimi i aktivitetit tregtar, kemi ofruar shërbim efikas, të vazhdueshëm dhe të besueshëm për transportuesit tanë, duke dhënë një kontribut të rëndësishëm për sigurinë dhe diversifikimin e burimeve të energjisë në Evropë. Aktualisht kemi mundësinë të arrijmë kapacitetin e plotë të transportit prej 10 miliardë metër kub në vit. Për më tepër, mund të shtojmë më tej kapacitet nëpërmjet ankandeve me afat të shkurtër”, tha ai.
Drejtoresha komerciale e TAP-it, Marija Savova, shtoi se transporti i sasisë së parë të gazit natyror rrit likuiditetin në tregjet e gazit dhe përforcon rolin e TAP si një transportues i besueshëm.
“Transporti i sasisë së parë të gazit natyror prej 10 miliardë metër kub (bcm) në Evropë, rrit likuiditetin në tregjet e gazit dhe përforcon rolin e TAP si një transportues i besueshëm që mund të japë një kontribut të rëndësishëm për sigurinë e energjisë në Evropë. TAP mund të dyfishojë kapacitetin duke u zgjeruar në disa faza, deri në 20 miliardë metër kub brenda 45-65 muajve, në bazë të kërkesave që do të marrim gjatë fazës detyruese të testimit të tregut dhe nëse kërkesat e akumuluara do të dëshmojnë një rezultat ekonomikisht të realizueshëm. Faza e ardhshme detyruese e testimit të tregut është programuar në korrik 2023.
Megjithatë, TAP mund të përshpejtojë afatet kohore dhe të nisë fazën detyruese të testimit të tregut gjatë vitit 2022, nëse gjatë konsultimit publik që TAP po zhvillon, shprehet interes për të filluar më shpejt. Ne ftojmë të gjithë palët e interesuara të marrin pjesë në testimin e tregut që po zhvillohet”, tha ajo.
TAP, segmenti evropian i korridorit jugor të gazit, ka kapacitet të transportojë afërsisht 10 miliardë metër kub gaz në vit (bcm/a), në disa tregje evropiane.
TAP transporton gaz natyror nga fusha gjigante e Shah Deniz-it në sektorin azerbaixhanas të Detit Kaspik për në Evropë. Gazsjellësi, i gjatë afërsisht 878 km, lidhet me Gazsjellësin Trans Anatolian (TANAP) pranë kufirit turko-grek në Kipoi, përshkon Greqinë, Shqipërinë dhe detin Adriatik, përpara se të mbërrijë në brigjet e Italisë jugore.
TAP-i do të lehtësojë furnizimin me gaz të vendeve të Evropës Juglindore përmes interkonektorëve të ardhshëm. Në veçanti, Bullgaria do të jetë në gjendje të mbulojë deri në 33% të kërkesës së saj totale për gaz përmes gazsjellësit TAP, pas përfundimit të interkonektorit Greqi Bullgari (IGB). Pikat e daljes së TAP-it në Greqi dhe Shqipëri, bashkë me daljen në tokë në Itali, ofrojnë mundësi të shumta për transportin e gazit nga Azerbajxhani drejt tregjeve më të mëdha evropiane.
Si një pjesë kyçe e korridorit jugor të gazit, TAP-i është i rëndësishëm për Evropën, si nga pikëpamja strategjike, ashtu edhe ekonomike, si dhe thelbësor në ofrimin e aksesit të sigurt në një burim të ri gazi natyror. TAP-i luan një rol të rëndësishëm në forcimin e sigurisë së sektorit energjetik në Evropë, diversifikimin e rezervave energjetike, si edhe objektivat e dekarbonizimit.
Aksionarët e TAP-it janë: BP (20%), SOCAR (20%), Snam (20%), Fluxys (19%), Enagás (16%) dhe Axpo (5%). /atsh
E-Diaspora
-
Dubai: Firma shqiptare e patundshërive me ofertë për investitorët shqiptarë të Zvicrës Nga Neymar te Tripleksi më i Shtrenjtë në Botë: Historia e Investimeve që Ndërtojnë Standarde të...
-
Shoqata “Bashkimi” nga Usteri organizoi festë kushtuar Pavarësisë së Shqipërisë
-
Turi me diasporën, Rama nesër takim me shqiptarët e Londrës
-
Gala koncert në Prishtinë me sopranon Marigona Qerkezi dhe tenorin Saimir Pirgu
-
Vjenë
Valbona Naku: Një jetë kushtuar violinës
Jeta në Zvicër
-
Ndjekjet penale dhe falimentimi: Rritje e rrezikut për të vetëpunësuarit nga viti 2025 Që nga 1 janari i vitit 2025, pretendimet e së drejtës publike kundër personave të regjistruar...
-
A duhet të bëhen të detyrueshme gomat e dimrit në Zvicër?
-
SBB pret fitim të njëjtë si vitin e kaluar
-
Shumë pista skijimi në Zvicër kanë hapur sot dyert
-
Këshilli Federal dëshiron të përfshijë kompanitë zvicerane në rindërtimin e Ukrainës