Lajme

Ministri Berset del pozitiv me koronavirus

Ai ka anuluar të gjitha aktivitetet e planifikuara për ditët e ardhshme - duke përfshirë pjesëmarrjen në takimin e Komisionit të OKB-së për Statusin e Grave (CSW)

Me rastin e një testi për Covid, këshilltari federal Alain Berset ka rezultuar pozitiv me koronavirus. Ai është testuar pasi kishte përjetuar simptoma të lehta të koronës, transmeton albinfo.ch.

Kreu i Departamentit Federal të Punëve të Brendshme, (në resorin e të cilit përfshihet edhe shëndetësia) ka kaluar në izolim dhe do të vazhdojë të punojë nga shtëpia, raporton srf.ch.

Ai do të lidhet me mbledhjen e Këshillit Federal të premten.

Këshilltari Federal Berset ka anuluar të gjitha aktivitetet e planifikuara për ditët e ardhshme – duke përfshirë pjesëmarrjen në takimin e Komisionit të OKB-së për Statusin e Grave (CSW) në Nju Jork.

Tri javë më parë, presidenti federal Ignazio Cassis pati rezultuar pozitiv në testin e koronavirusit. Sipas informacioneve në atë kohë, ai nuk kishte ndier asnjë simptomë, përcjell albinfo.ch. Cassis, gjithashtu, kishte shkuar në izolim dhe kishte vazhduar punën nga rezidenca e tij.

Ndër të tjera ai ka munguar në pjesëmarrjen e planifikuar në Konferencën e Sigurisë në Mynih për shkak të testit pozitiv.