Lajme

Ylfete Fanaj, njëra ndër tri kandidate për ekzekutivin e Kantonit të Lucernit

Kandidatet janë: ish-kryetarja e Parlamentit Kantonal të Lucernit, Ylfete Fanaj, ish-deputetja kantonale Yvonne Zemp Baumgartner dhe deputetja aktuale, Melanie Setz

Melanie Setz, Ylfete Fanaj apo Yvonne Zemp Baumgartner: Njëra prej tyre do të kandidojë për PS në zgjedhjet për Këshillin Qeveritar të Lucernit, në prill të vitit 2023. Emërimi i njërës nga këto do të bëhet nga baza e tyre partiake, (SP), këtë vjeshtë.

Partia Socialdemokrate (SP) e kantonit të Lucernit ka nisur fushatën e saj zgjedhore për këshillin drejtues pak më shumë se një vit përpara datës së zgjedhjeve përkatëse, që do të mbahen më 2 prill të vitit 2023.

Ajo ka prezantuar sot, e mërkurë, tri kandidatet, transmeton albinfo.ch. Ato janë: ish-kryetarja e Parlamentit Kantonal të Lucernit,  Ylfete Fanaj (39 vjeçe) nga Lucerni, ish-këshilltarja kantonale Yvonne Zemp Baumgartner (54 vjeçe) nga Sursee dhe parlamentarja në detyrë Melanie Setz (41 vjeçe) nga Emmen-i.

Të tri politikanët përveç që prezantuan para mediave prioritetet e tyre politike, folën edhe për origjinën dhe aktivitetet e tyre profesionale.

Fanaj, Setz dhe Zemp Baumgartner tani e tutje do të prezantohen në bazën e tyre në dhjetë aktivitetet që do të mbahen në të gjithë kantonin gjatë gjashtë muajve të ardhshëm, shkruan Luzerner Zeitung.

Paraqitjen e tyre të parë ato e kanë të shtunën në konferencën e partisë, në Rothenburg. Tri kandidatet janë përcaktuar në janar nga menaxhmenti i partisë – me kërkesë të komisionit të rekrutimit, i cili drejtohej nga ish-kryetarja e grupit parlamentar, Priska Lorenz.

Në fillim të procesit, i cili ka nisur në verën e 2020, kishte një profil kërkesash me mbi 30 pikë. Gjashtë muaj më vonë, bisedimet filluan me më shumë se 40 kandidatë të mundshëm. Ndërsa në gusht të vitit 2020, baza tashmë kishte vendosur që SP të dilte në zgjedhjet qeveritare të kantonit me një grua, kandidate.

Baza e partisë përcakton kandidaten përfundimtare këtë vjeshtë

Se cila nga këto tri kandidate do të fitojë vendimin e brendshëm, do të vendoset këtë vjeshtë, transmeton albinfo.ch. Në bazë të një një vendimi të marrë më herët nga delegatët, fituesja nuk mund të kandidojë për një vend në Bernë, në zgjedhjet parlamentare nacionale, në tetor të vitit 2023.

Sipas presidentit të partisë, David Roth, baza partiake do të bëjë nominimet për dy dhomat e Parlamentit të Zvicrës në nëntor të këtij viti dhe në janar të vitit 2023.

Ylfete Fanaj ka ardhur nga Kosova në Zvicër (Sursee, LU) 30 vite më parë. Ajo është nënë e martuar e një fëmije dhe jeton në Lucern që nga viti 2006. Në vitin 2020 dhe 2021 ajo ka kryesuar Parlamentin Kantonal, anëtare e të cilit është që nga viti 2011, transmeton albinfo.ch. Para kësaj, ajo ishte për katër vjet, asambliste në qytetin e Lucernit. Fanaj ka bërë praktikën si komercialiste dhe pas shkollës së mesme i është dashur të shkruante 200 aplikime për të ndjekur këtë praktikë.

“Të qëndruarit pozitiv pavarësisht gjithë refuzimit më ka bërë të fortë”, tha 39-vjeçarja për mediat të mërkurën.

Pas trajnimeve të ndryshme dhe kurseve të shkollimit të mëtejshëm si dhe masterit në punë sociale, Fanaj tani është menaxhere e divizionit për Zvicrën gjermanishtfolëse në programin e integrimit dhe parandalimit (“Lift”). Ky program mbështet të rinjtë që kanë pozicion të vështirë fillestar në kalimin nga shkalla e dytë e fillores në shkallën e formimit profesional. Të punosh për formimin profesional është një zgjedhje e preferuar e saj.

Por Fanaj angazhohet edhe për kopshte të fëmijëve, me çmime të përballueshme, përcjell albinfo.ch. Ajo e përshkruan veten si një “politikane që mund të punojë së bashku edhe përtej linjave partiake dhe që i trajton njerëzit me vullnet të mirë”.

Nëse do të kandidohet përfundimisht dhe pastaj edhe të zgjidhet në ekzekutivin e Kantonit të Lucernit, Ylfete Fanaj do të jetë shqiptzarja e parë në një post të tillë, në Zvicër, siç ishte e para dhe e vetmja, edhe si kryetare e Parlamentit të Kantonit.

(Foto: SP, Kanton Luzern)