Kosova

7 Marsi – Dita e Mësuesit

Çdo vit festohet 7 Marsi – Dita e Mësuesit, që na përkujton ditën kur më 7 mars 1887 u hap në Korçë, nën drejtimin e Pandeli Sotirit, Mësonjëtorja kombëtare shqipe. Ajo ishte shkollë me karakter kombëtar e laik (jo fetar), ku të gjitha mësimet jepeshin në gjuhën shqipe. Drejtues të saj ishin figura të njohura të Rilindjes shqiptare, si: Pandeli Sotiri, Petro Nini Luarasi, Nuçi Naçi, Thoma Avrami etj.

Dita e Mësuesit është festë kombëtare, nuk është vetëm për punonjës të arsimit shqiptar, por edhe për nxënës e studentë, është një festë që festohet në çdo familje shqiptare. Kjo është një traditë e bukur e krijuar te populli ynë. Në këtë ditë të rëndësishme të arsimit shqiptar kujtojmë me respekt të thellë veprën e ndritur të mësuesve dhe patriotëve të shquar, që punuan me përkushtim dhe bënë sakrifica të mëdha për zhvillimin e arsimit kombëtar.

Duke kujtuar 7 Marsin –Ditën e Mësuesit, nuk mund të lëmë në heshtje e të mos nderojmë edhe rolin e kontributin e mësuesve të palodhur dhe prindërve të urtë shqiptarë që me vetëkontribut mbajnë hapur shkollat shqipe të mësimit plotësues në shumë kantone të Zvicrës.