Lajme

BE synon t’i japë fund varësisë nga gazi rus

Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, deklaroi të mërkurën se synon t’i japë fund vartësisë së bllokut nga gazi rus, me shpresën se lëvizja drejt energjive alternative do ta bëjë atë më të pavarur.

Duke folur përpara një takimi me kryeministrin norvegjez, një vend jo anëtar i BE-së, por që furnizon me gaz Unionin, Von der Leyen akuzoi Rusinë se e përdor energjinë si mjet në betejën gjeopolitike me Perëndimin dhe Ukrainën.

“Sikurse e kemi parë, Rusia e ka kthyer në instrument energjinë gjatë muajit të fundit, për të mos thënë viteve, për të ushtruar presion jo vetëm ndaj Ukrainës, por dhe BE-së. Ndaj jemi të vendosur të shkëputemi nga kjo vartësi”, tha Von der Leyen.

Ditën e martë, kancelari Olaf Scholz anuloi certifikimin e gazsjellësit ruso-gjerman “Rrjedha e Veriut 2”, i projektuar për të dyfishuar fluksin e gazit rus, për shkak të njohjes së pavarësisë së rajoneve separatiste ukrainase nga Moska./Euronews