Lajme

E Majta reagon ashpër ndaj zbulimeve në CS, kërkon heqjen e “sekretit bankar”

"Bankat kanë përfituar nga mungesa e transparencës dhe nga politika e "mbylljes së syve". Nëse Zvicra nuk dëshiron të pësojë dëme të mëtejshme, ajo duhet të pastrohet"

Pas shpërthimit të skandalit “Suisse Secrets”, është aktivizuar Partia Socialdemokrate (SP) duke reaguar kundër sekretit bankar që karakterizon punën në sferën bankare të Zvicrës.

Ajo po bën thirrje për rregulla që më në fund do të ndalojnë transaksionet e dyshimta të bankave zvicerane. Sipas SP-së uhet të hiqet  neni i “mbylljes së gojës” (ruajtja e sekretit bankar) në ligjin e bankave, transmeton albinfo.ch.

“Njëri skandal ndjek tjetrin”, thotë bashkëkryetari i PS-së dhedeputet nacional nga Aargau, Cédric Wermuth pas zbulimit të “Suisse Secrets”, të hënën para mediave në Bernë.

Credit Suisse është aktualisht në plan të parë si tip problematik, por nuk është aspak e vetme. Bankat kanë përfituar nga mungesa e transparencës dhe nga politika e “mbylljes së syve”, shkruan sda/keystone. Nëse Zvicra në tërësi nuk dëshiron të pësojë dëme të mëtejshme në reputacionin e saj, ajo duhet të pastrohet tani.

Megjithatë, parlamenti po pengon këtë aktualisht me heqjen e planifikuar të tatimit burimor. Heqja e kësaj takse sigurie do t’i hapte portat evazionit fiskal.

Deputetja tjetër po nga kjo parti, Prisca Birrer-Heimoz (PS/LU) bëri thirrje për sanksione më të rrepta ndaj Autoritetit të Tregut Financiar (Finma). Kjo me të vërtetë mund të vendosë ndalime të ushtrimit të profesionit dhe konfiskim të fitimeve, por jo edhe gjoba.

Deputetja Samira Marti (PS/BL) kujtoi se afera me “Pandora Papers”  tashmë kishte bërë bujë në vjeshtë. Në atë kohë, PS-ja kishte kërkuar një regjistër publik të pronarëve përfitues të fondeve dhe konstrukteve të ngjashme.

Ende nuk dihen flukset financiare nga bankat drejt deputetëve. Ndikimi i lobit bankar dhe avokatëve ishte veçanërisht i dukshëm kur avokatët dhe noterët nuk i nënshtroheshin ligjit për pastrimin e parave.

“Mbyllja e gojës” apo censura në bazë të nenit 47 në Ligjin Bankar nuk është e denjë për një shtet kushtetues. Teksti i prezantuar nga FDP kërcënon publikimin e kërkimeve të bazuara në të dhëna të vjedhura ose të rrjedhura me deri në tre vjet burg, përcjell albinfo.ch. Fillimisht, FDP kishte kërkuar edhe pesë vjet. Kushdo që zbulon krimet bëhet vetë kriminel me këtë nen, thotë Marti.

Mediat e penguara

Samuel Bendahan, nënkryetar i PS-së dhe deputet  nacional i Vaud-it, shpjegoi se PS-ja tani duhet të nxitojë në ndihmë të qendrës financiare, siç bëri për kompanitë e vogla dhe të mesme në krizën e Corona. Korrupsioni dhe mungesa e transparencës në sektorin bankar, si dhe liria e kufizuar e medias, janë një turp. Mediat duhet të jenë në gjendje të bëjnë punën e tyre, ka theksuar ai.