Integrimi
“Bashkimi i votës” përtej partive, solli katër shqiptarët në Asamblenë e Cyrihut
Përparim Avdili (FDP), Reis Luzhnica, Islam Alijaj dhe Gadaf Muharemi, të tre nga SP, flasin për zgjedhjen e tyre në Parlamentin (Asamblenë) e Qytetit të Cyrihut
Të dielën që shkoi, më 13 shkurt, u mbajtën zgjedhjet për asamblenë dhe për ekzekutivin e qytetit të Cyrihut. Dhe zgjedhjet në qytetin më të madh të Zvicrës, kanë gjithmonë një rëndësi që shkon përtej përmasave lokale dhe regjionale. Një rëndësi të veçantë këto zgjedhje këtë vit patën edhe për komunitetin e këtushëm shqiptar, i cili Cyrihun me regjionin rreth tij e ka “bastionin” kryesor në Zvicër e më gjerë.
Arsyeja për këtë është se, sikur asnjëherë më parë, u zgjodhën 4 politikanë të rinj nga ky komunitet, i cili deri vonë identifikohej shpeshherë si komunitet me probleme në integrim dhe probleme me ligjin. Në mesin e 125 personave që kanë zënë vend në parlamentin e Cyrihut, numri prej 4 emrash e mbiemrash shqiptarë është mjaft i madh, ndonëse ende nuk pasqyron përqindjen e shqiptarëve në popullatën e qytetit. Prandaj, duket se qëndron konstatimi i bërë nga mediat zvicerane, se kjo përbërje e asamblesë së Cyrihut “përkthehet” dukshëm më mirë me gjendjen në terren, sa i takon përfshirjes së të huajve se sa çdo përbërje e deritashme.
Pos atyre që arritën të sigurojnë vend në asamble, edhe disa nga kandidatët tjerë, me numrin e votave kanë qenë afër për t`u zgjedhur. Kjo vlen sidomos për kandidaten e SP-së, Arjeta Zhuta, e cila ka fituar 3724 vota dhe me këtë pozicion, mund të bëhet asambliste në rast të avancimit ose tërheqjes gjatë këtij mandati, të ndonjërit nga të zgjedhurit
Albinfo.ch ka qenë vazhdimisht në kontakt me kandidatët me rrënjë shqiptare të këtyre zgjedhjeve dhe sigurisht, edhe me fituesit e tyre të tashëm. Thënë ndryshe, platforma jonë ka dhënë në mjaft raste edhe ndihmesë të konsiderueshme për sensibilizimin e komunitetit tonë me aktivitetin e këtyre dhe kandidatëve të tjerë shqiptarë, në nivele të ndryshme.
Ne kemi marrë prononcimet e katër asamblistëve të zgjedhur të dielën në Asamblenë e Cyrihut. Fjala është për tre politikanë nga Partia Socialdemokrate: Reis Luzhnica (i rizgjedhur), Islam Alijaj dhe Gadaf Muharemi si dhe Përparim Avdilin nga Partia Liberale, FDP, po ashtu i rizgjedhur. Të kujtojmë me këtë raste se Avdili ka qenë në këtë post që nga viti 2018, duke u bërë i pari dhe deri vonë, i vetmi asamblist me rrënjë shqiptare në atë pozitë. Në gusht të vitit 2021 këtë pozitë e fitoi edhe Reis Luzhnica nga SP.
Përparim Avdili, FDP: “Aktivitetet mbipartiake të shqiptarëve e kanë bashkuar votën shqiptare”
“Rizgjedhja ime me këtë rezultat është fitore edhe më e madhe, sepse më jep siguri dhe mbështetje për politikëbërjen time në 4 vitet e ardhshme. Gjithashtu dëshmon që qytetarët, përfshirë këtu në veçanti komunitetin shqiptar, kanë qenë të kënaqur me punën time të deritanishme”, pohon Avdili, i njohur si njeriu që “ka thyer akullin” duke u bërë në vitin 2018 shqiptari i parë në parlamentin e Cyrihut.
“Ndërsa fakti që janë zgjedhur gjithsej 4 shqiptarë dhe të tjerët kanë pasur rezultate po ashtu pozitive dëshmon që komuniteti tashmë është sensibilizuar mirë në lidhje me politikën lokale në vendet ku jeton. Edhe këtu aktivitetet të përbashkëta mbipartiake të shqiptarëve e kanë bashkuar votën shqiptare”.
Reis Luzhnica, SP: “Këtë sukses e kemi arritur duke përkrahur njëri tjetrin, përtej partive”
“Partia Socialdemokrate para 4 viteve ka pasur një rritje të madhe në qytetin e Cyrihut, por në këto zgjedhje ato ulëse që i patëm fituar, i kemi humbur prapë. Pavarësisht rezultatit më të dobët të SP-së, si parti, rezultati im ishte i mirë dhe kam kaluar nga vendi i 5-të në vendin e 3-të”, konstaton Luzhnica, i cili ka siguruar mandatin e dytë në parlament.
Ndërsa duke folur për suksesin e kandidatëve shqiptarë në këto zgjedhje ai thotë: “Këtë sukses ne e kemi arritur me angazhimin tonë të madh po edhe duke e përkrahur njëri tjetrin, përtej partive.
Komuniteti shqiptar në Cyrih është i madh dhe deri tani, politika nuk ka arritur tu përgjigjet kërkesave të komunitetit tonë, ose politikanët nuk kanë arritur të fitojnë besimin që do ti zgjidhin këto probleme. Ne si shqiptarë tani arritëm ta fitojmë këtë besim dhe i kemi marrë këto vota shtesë nga komuniteti jonë. Përtej kësaj, natyrisht që e kemi fituar edhe besimin e partive që i përfaqësojmë por edhe të votuesve të këtyre partive”.
Sa i përket fokusit të tij si asamblist, pas rizgjedhjes, Luzhnica thotë: Në Cyrih ende kemi kërkesë të madhe për banesa me çmim të përballueshëm. Këtu ne, si SP do të angazhohemi që të rritet numri i atyre banesave. Po ashtu paga minimale duhet të rritet. Për momentin janë rreth 17‘000 persona me pagë nën 4000 franga edhe pse punojnë në orar të plotë.
Islam Alijaj: “Fakti që u zgjodha unë, ishte një senzacion”
“Rezultati i zgjedhjeve për partinë time, PS- në këto zgjedhje, ishte paksa i përzier. Edhe pse ne jemi ende partia me më shumë vota në Cyrih, ne humbëm 6 mandate në parlament. Fakti që unë u zgjodha ishte një senzacion. Nga vendi i nëntë në listën e PS-së, kam pasur një pozicion startues shumë të keq”, shprehet Islam Alijaj, “Lomi”, me rrënjë nga komuna e Gjakovës, në një prononcim për albinfo.ch. Lomi, siç e quajnë në rrethin e tij, është person me aftësi të kufizuara fizike.
“Por fakti që megjithatë u zgjodha tregon se sa e rëndësishme është tema e përfshirjes (inkluzionit) për banorët e Cyrihut”, shton ai.
“Pas zgjedhjes sime, kam marrë mesazhe dhe telefonata të shumta urimi, edhe nga komuniteti shqiptar. Shumë nga bashkatdhetarët tanë ndihen shumë krenarë që jam zgjedhur përkundër të gjitha disavantazheve dhe emrit tim, Islam. Kjo tregon se edhe komuniteti shqiptar në Zvicër është shumë i hapur ndaj temës së përfshirjes, ndoshta pak më shumë se në vetë Kosovën. Shpresoj shumë që – pas shpalljes sime si politikani i vitit 2021 nga albinfo.ch, pastaj pas zgjedhjes sime në Asamblenë e Qytetit të Cyrihut dhe krahas kësaj pasi Qeveria e Kosovës, vitin 2022 e ka shpallur vit të barazisë për personat me aftësi të kufizuara – edhe në komunitetin shqiptar të ndryshojë diçka sa i përket temës së inkluzionit (përfshirjes)”, përfundon Alijaj.
Gadaf Muharemi, SP: “Një arritje e mirë për komunitetin tonë në Cyrih”
“Edhe pse isha në një vend të mirë në listë (i katërti) nuk isha shumë i sigurt për zgjedhjen time, andej më gëzon shumë fakti që kam arritur të zgjidhem”, thotë për albinfo.ch tashmë asamblisti, me rrënjë nga Pallqishti i Tetovës, Gadaf Muharemi.
“Por përveç se privilegj, kjo është edhe përgjegjësi. Tani duhet që temat të cilët i kam mbrojtur dhe kam bërë fushatë për to, t`i mbroj dhe t`i lansoj në Asamble. Ndër të tjera, synim imi është që të huajt me qëndrim të përhershëm (Vizë C) të kenë të drejtë vote në nivel komune”, thotë Muharemi. Në mesin e prioriteteve të tij ë është edhe sigurimi i barazisë gjinore në vendin e punës. Nga ana tjetër ai thotë se e gëzon fakti që komuniteti shqiptar do të përfaqësohet me 4 asamblistë, gjë që tregon për një arritje të mirë për komunitetin tonë” .
E-Diaspora
-
Sot, Dita e Alfabetit të Gjuhës Shqipe Sot është Dita e Alfabetit Shqip, tashmë e shpallur festë zyrtare e Shqipërisë. 22 nëntori ka...
-
Vjenë
Virale dhe e suksesshme, Almira nga Austria ka 800 mijë ndjekës në rrjetin “tik-tok”
-
Suedi: Diamant Salihu fiton çmimin “Novatorët e vitit”
-
5 orë pritje, anulohet fluturimi nga Bazeli për në Prishtinë
-
A rrezikon të dështojë vota e diasporës në Shqipëri?
Jeta në Zvicër
-
Këshilli Federal dëshiron të përfshijë kompanitë zvicerane në rindërtimin e Ukrainës Këshilli Federal dëshiron të përfshijë kompanitë zvicerane në rindërtimin e Ukrainës. Të mërkurën, ajo i kërkoi...
-
Kantoni i Gjenevës shqyrton mundësinë e pushimit para lindjes
-
Gjeneva shtyn afatin e pagesës pas rritjes masive të taksës së makinave
-
Gjykata Federale e njeh obezitetin si paaftësi në kushte të caktuara
-
Zvicra, kampion evropian në transportin hekurudhor