Tematike

Presidenti Federal, Cassis: “Sot po bëjmë një hap vendimtar”

"Sot, më 16 shkurt, saktësisht 23 muaj më vonë, Këshilli Federal tërheq shumicën e masave. Sot po hedhim një hap vendimtar"

Presidenti Federal Ignazio Cassis ka hapur konferencën e sotme mediatike mbi pandeminë e koronës. “Më 16 mars 2020, Këshilli Federal pati shpallur situatën e jashtëzakonshme. Sot, më 16 shkurt, saktësisht 23 muaj më vonë, Këshilli Federal tërheq shumicën e masave. Sot po hedhim një hap vendimtar”.

Cassis: “Drita në horizont është tashmë e dukshme”
Zhvillimet, që nga heqja e karantinës dhe detyrimi i punës nga shtëpia, janë pozitive. “Prandaj, Këshilli Federal vendosi të heqë pothuajse të gjitha masat”, thotë Presidenti Federal Cassis. “Drita në horizont është e dukshme.” Trendi i favorshëm duket se do të vazhdojë, veçanërisht pasi pranvera është afër. Hulumtimet shkencore kanë bërë të mundur marrjen e vaksinave që mundësojnë kontrollin e situatës, transmeton albinfo.ch. “Megjithatë, ka ende njerëz që duhet të mbrohen”. Prandaj të gjithë qytetarët duhet të vazhdojnë të sillen me kujdes.

“Megjithatë, vendimi i sotëm nuk do të thotë se Këshilli Federal nuk po merr më përgjegjësinë e tij në luftimin e pandemisë”, thotë Presidenti Federal, Cassis. Ne vazhdojmë të ndjekim nga afër situatën. Këshilli Federal është gjithashtu i gatshëm të rishikojë masat nëse është e nevojshme. “Me heqjen e masave të qeverisë, ne si shoqëri duhet të kërkojmë një ekuilibër të ri”, thotë Cassis. Kushdo që dëshiron të vazhdojë të mbajë maskë duhet të trajtohet me respektin e nevojshëm.

Berset: “Kemi bërë shumë në dy vitet e fundit”

Ndërsa ministri Berset ka thënë veç tjerash:  “Ne kemi bërë shumë në dy vitet e fundit”. Sot mund të shihni se kemi një dinamikë pozitive që po vazhdon. Nuk ka gjasa që spitalet të mbingarkohen dhe ka pak raste të rënda. Meqenëse presioni është ulur, Këshilli Federal ka vendosur të heqë pothuajse të gjitha masat.

Të gjithë tani duhet të marrin përgjegjësinë e tyre, thotë ministri i Shëndetësisë Alain Berset. Kompanitë gjithashtu duhet të mbrojnë punonjësit e tyre.

Berset më tej ka thënë se Këshilli Federal ka marrë parasysh se task forca shkencore federale planifikon të përfundojë misionin e saj që në mars – më parë ishte planifikuar deri në fund të majit, përcjell albinfo.ch. “Misioni i saj ka qenë gjithmonë i rëndësishëm në kohë krize. Anëtarët individualë të grupit të punës do të vazhdojnë të japin këshilla për Këshillin Federal dhe BAG”.