Lajme

“Deri në fund të dimrit, shumica në Zvicër do të kenë një shkallë imuniteti”

Vetëm gjatë katër javëve rreth kulmit të valës Omicron, pothuajse 900,000 njerëz kanë rezultuar pozitivë për Covid-19

Në fund të këtij dimri, “shumica dërmuese e njerëzve në Zvicër do të kenë një shkallë të caktuar të imunitetit” ndaj patogjenit të koronavirusit. Kjo vjen për shkakun se ata janë vaksinuar ose sepse janë shëruar, transmeton albinfo.ch. Ky është vlerësimi i task-forcës shkencore federale të Zvicrës.

Vetëm gjatë katër javëve rreth kulmit të valës Omicron, pothuajse 900,000 njerëz kanë rezultuar pozitivë për Covid-19, sipas përditësimit më të ri të bërë nga Taskforca, shkruan srf.ch.

Nëse merret parasysh numri i rasteve të paraportuara, atëherë shifra e përmendur duhet të shumëzohet me  3 ose edhe me 4. Në fund, kjo rezulton në mes 2.7 milionë dhe 3.6 milionë njerëz të infektuar me virusin korona, shumica dërmuese e tyre me variantin omicron.

Kjo është rreth 30 deri në 40 për qind e popullsisë zvicerane.

Megjithatë, sipas Task Forcës, numri i të shtruarve në spital në lidhje me virusin korona ka vazhduar të ulet ndjeshëm që nga fillimi i këtij viti. Varianti omicron infekton individët e vaksinuar dhe të rikuperuar në një masë më të madhe se varianti delta. Kjo nga ana tjetër do të thotë se një përqindje më e lartë e të infektuarve mbrohen nga ecuria e rëndë, falë faktit se janë të vaksinuar.