Lajme
Kledi Hysa, modeli që e njohu bota, por jo edhe shqiptarët
Kledi Hysa është model shqiptar, entuziast, i pashëm dhe shumë modest. Ai bëri “zhurmë” në fushën e modelimit në shumë shtete të Evropës, madje u komentua si mashkulli më karizmatik me elegancën e tij dhe stilin e veshjes
Kledi Hysa, djaloshi shqiptar që jeton në Bregenz të Austrisë, ka krijuar emër të njohur në fushën e modës nëpër Evropë. Edhe pse ka 15 vjet karrierë si model, deri me tash ai pak njihej nga publiku shqiptar. Megjithatë, pjesëmarrja e tij në “Big Brother Vip”, e bëri jo vetëm të njohur tek shqiptarët por, edhe i hapi dyer të reja në tregun shqiptar.
Kledi ka mbi 15 vjet që punon si modelist në gjithë Evropën. Ka marrë pjesë në “Mister Vorarlberg”, ka qenë pjesë e një filmi të Hollivudit dhe ka reklamuar veshje të markave më të njohura të botës.
Modeli shqiptar u lind në Burrel, ndërsa në moshën 14-vjeçare ka migruar në Austri, për t’u bërë me kohë një profil i suksesshëm dhe shumë i kërkuar.
“Jam lindur në Burrel të Shqipërisë. Në moshën 14-vjeçare migrova në Austri dhe u vendosa në Bregenz. Aty vazhdova shkollimin fillor, mbarova shkollën teknike për informatikë, ndërkohë vazhdova shkollimin në Innsbruck, ku përfundova shkollimin e lartë trevjeçar për komunikim dhe informatikë”, tregon Kledi për revistën Albinfo.at.
Sa i përket jetës dhe shoqërisë në Austri, ai tregon se ambientimi fillimisht ka qenë i vështirë, por me kalimin e kohës u integrua lehtësisht.
“Austriakët janë tipa të tërhequr, paksa të ftohtë dhe ngase nuk e njihja as gjuhën gjermane, ma bënte paksa më të vështirë integrimin. Por, duke qenë se luaja futboll, kjo më ka ndihmuar të krijoja miqësi me shumë shokë austriakë. Aty, kishte edhe persona të tjerë të komuniteteve të ndryshme, me të cilët për asnjë moment nuk e ndija veten si i huaj”, tha Kledi.
Nga dashuria për futbollin, në pasion për modelim
Kledi në moshë të re ishte shumë i dhënë pas futbollit dhe ka përvojë për 17 vjet në këtë fushë. “Futbolli ka qenë dashuria ime e parë dhe e dua edhe sot. Kam filluar në moshën 15 vjeçe të luaja futboll. Pas dy vjetësh arrita të luaja në ekipin e Bregenz-it, në kategorinë e tretë. Futboll kam luajtur për 17 vjet, pra deri në moshën 32-vjeçare. Për shkak të një dëmtimi në gju, u desh ta ndërprisja dhe të vazhdoja me modën, e cila u bë një pjesë e pandashme e jetës sime”, tha ai.
Ndërkohë, për Kledin, modelimi u bë synimi kryesor rreth botës së garës së bukurisë dhe spektakleve, me të cilin edhe sot e kësaj dite punon për këtë profesion me shumë pasion.
“Në moshën 18 vjeçe një shok imi, me të cilën luaja futboll, konkurroi për mister dhe aty më lindi dëshira rreth garës së bukurisë dhe spektakleve. E dashura e atëhershme më regjistroi në një konkurs bukurie për mister. Mora pjesë dhe zura vendin e katërt. Kjo ishte një mundësi e mirë për mua që të depërtoja në këtë fushë për të punuar në kompani të njohura”.
Modelist i shumë skenave dhe reklamave të njohura të botës
Kledi Hysa është modelist, që shquhet me elegancë dhe stil të veçantë të veshjes. Ai po prezantohet me sukses në shumë shtete të Evropës, veçmas në Austri, Zvicër dhe Gjermani, duke prezantuar brende të ndryshme të veshjeve.
“Me modelim kam sfiluar në skena të njohura të modës, si në “Fashion Week Berlin”, “Fashion Week Paris”, “Fashion Week Istanbul”. Pastaj, kam punuar për kompani të ndryshme ndërkombëtare, si: Head, Coop-City, Aldi, Swiss Casinos, Vanzetti, Antony Morato, Sahra Kern, Pfanner, Kika, Capo, Seeberger-Hats, Charles Vögele, Redbull, etj.”, tregon Kledi për përvojën e tij në fushën e modelimit.
Për Kledin modelimi mbetet një nga pasionet më të mëdha, jo vetëm si profesion, por edhe si një portë e madhe për të përjetuar dhe eksploruar kultura, stile jetese dhe njerëz të ndryshëm. Duke qenë se çdo model në plan të parë ka bukurinë dhe veshjen, Kledi Hysa shprehet se është i pasionuar në raport me të dyja këto.
“Firmat e veshjes që më pëlqejnë më së shumti janë Hugo Boss, me të cilin po ashtu kam punuar, pastaj më pëlqen gjithashtu stili i Philip Phlein”, tha ai.
Kledi, po ashtu, ka qenë pjesë në shumë revista të botës për modelim: “Kam qenë në shumë revista të modës, në Gjermani, Itali, Austri, Zvicër, Turqi, Spanjë si: “Men’s Fashion Magazinë”, “Men’s Style”. “Editorial”, “Week” e shumë të tjera”, bën të ditur ai.
Ai ishte edhe pjesë e filmit të Hollywood-Movie ”Point Break” në vitin 2016, në rolin e një sheiku.
Pse Kledi nuk ishte i njohur nga shqiptarët para “Big Brother Albania Vip”?
Pas shumë vjetësh në Austri, Kledi erdhi për të bërë “Bum” edhe në Shqipëri, duke u bërë pjesë e “Big Brother Vip”. Ai u komentua shumë dhe bëri bujë në media, për kulturën dhe edukatën që e shfaqi gjatë ditëve të qëndrimit në shtëpinë më të njohur në Shqipëri.
“Për të gjithë ata që nuk më njihnin në rrjetin shqiptar, “Big Brother Vip” ishte absolutisht një ndihmë shumë e madhe për mua sa i përket famës, e cila më hapi “dyer” të reja drejt televizionit, reklamave me shumë kompani shqiptare. Jam i lumtur që tash edhe populli im e di që një shqiptar ka suksese në fushën e modës edhe në arenat ndërkombëtare”, tregon ai.
Kledi prej shumë vitesh ishte afirmuar në fushën e modës nëpër Evropë, por në trojet shqiptare ishte shumë pak i njohur, për të mos thënë fare. I pyetur pse ka ndodhur kjo, ai tregon: “Është shumë e drejtë kjo. Unë kam 15 vjet që merrem me modelim, duke bashkëpunuar me agjenci nga e gjithë bota, kurse në Shqipëri moda nuk ka pasur impaktin e lartë, siç mund ta ketë tash dhe marketingu nuk ka funksionuar në mënyrën më të mirë të mundshme ndërsa tani është në nivel tjetër”, tha ai.
Kledi do të sjellë disa risi në vitin 2022 me produkte të kozmetikës, të cilat do të lansohen së shpejti në Shqipëri, Kosovë dhe Maqedoninë e Veriut.
Box
Sfilata në skenat e mëdha të botës
“Me modelim kam sfiluar në skena të njohura të modës, si në “Fashion Week Berlin”, “Fashion Week Paris”, “Fashion Week Istanbul”. Pastaj, kam punuar për kompani të ndryshme ndërkombëtare, si: Head, Coop-City, Aldi, Swiss Casinos, Vanzetti, Antony Morato, Sahra Kern, Pfanner, Kika, Capo, Seeberger-Hats, Charles Vögele, Redbull, etj.”, tregon Kledi për përvojën e tij në fushën e modelimit.
E-Diaspora
-
A rrezikon të dështojë vota e diasporës në Shqipëri? Kreu i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve në Shqipëri, Ilirjan Celibashi, tha se janë krijuar kushtet e...
-
Kurti mban fjalim në forumin ekonomik Zvicër-Kosovë, flet për “partneritet të fuqishëm”
-
Arbër Bullakaj, në krye të nismës për lehtësimin e natyralizimit të të huajve
-
Ariana Qizmolli, me pjesën “Kërce pak”, në festivalin e vallëzimit, në Winterthur
-
Një deputete në Kuvendin e Shqipërisë, me doktoratë austriake
Jeta në Zvicër
-
Më shumë se 640,000 fishekë snajperësh zviceranë thuhet se kanë shkuar në Ukrainë Municione snajperi nga kompania zvicerane P Defence thuhet se kanë mbërritur në Ukrainë në korrik 2023...
-
Kaosi i SBB i frustron udhëtarët: “Ka komunikim zero”
-
Bora paralizon qarkullimin në shumë vende në Zvicër
-
Bazeli do të votojë mbi koston e organizimit ‘blasfemik’ të Eurovizionit 2025
-
Zvicra mbetet kampione evropiane në hekurudha