Lajme

Në 3 vende evropiane protestohet kundër masave anti-Covid

Protesta janë zhvilluar në Holandë, Francë dhe Zvicër për masat anti-COVID.

Pasditen e djeshme u larguan disa qindra automjete që gjatë ditës kishin bllokuar hyrjen në Binnehof, selia e qeverisë holandeze.

Policia paralajmëroi protestuesit se do të gjobiteshin dhe arrestoheshin nëse nuk hiqnin dorë nga protestat kundër kufizimeve, të frymëzuara nga ato të kamionistëve kanadezë që mbushën kryeqytetin Otaua, transmeton Euronews, përcjell Albinfo.ch.

Në Paris, policisë iu desh të përdorte gaz lotsjellës ndaj një numri protestuesish në shëtitoren Champs Elysees, të cilët sfiduan urdhrat e autoriteteve duke protestuar kundër kufizimeve.
Vetëm pak makina kaluan mes turmës dhe postoblloqeve të policisë, të ngritur në pikat kyçe të qytetit. Ndërkohë, në një zonë tjetër të kryeqytetit francez protestues të shumtë u arrestuan pasi u kapën me thika dhe çekanë.
Në Zyrih të Zvicrës protestat nuk ishin të autorizuara. Megjithatë, disa protestues u përpoqën të kalonin përtej barrikadave të policisë, e cila përdori topa uji dhe plumba gome për t’i shpërndarë.